"Në fillimin e një jete të re, të uroj fat dhe lumturi". Një mesazh shprese që 15-vjeçarja Lily Ebert, një grua me origjinë hungareze që i mbijetoi Aushvicit, mori nga një ushtar amerikan në pranverën e vitit 1945. Fjalë të shkruara në cepin e një kartëmonedhe gjermane të mbajtur në sirtar për 75 vjet dhe kanë dalë sërish në dritë të shtunën e kaluar. Ajo ishte në shtëpinë e saj në Londër, në shoqërinë e stërnipit të saj, 16-vjeçarit Dov Forman, të cilit i ka treguar historinë. "E beson se mund ta gjej atë ushtar brenda 24 orësh?", ka qenë basti i djalit pasi ka marrë vesh historinë. "E pamundur", duhet të ketë menduar ajo. Por në epokën e rrjeteve sociale, informacioni udhëton shpejt. Pas disa shpërndarjeve në Tuiter, llogaria zyrtare e Memorialit të Aushvicit ka zbuluar detaje të mëtejshme mbi historinë e gruas. «Lily ishte 14 vjeç kur u internua në Aushvic nga Bonyhad në korrik 1994. Ajo dhe dy motrat e saj Renee dhe Piri u regjistruan. Nëna e saj Nina, vëllai i saj Bela dhe motra e saj Berta përfunduan në dhomat e gazit. Më vonë Lily u transferua në një fabrikë municionesh afër Lajpcigut, ku u la e lirë".
Falë mbi një milion ndjekësve të faqes, mesazhi është bërë edhe më viral, duke u përhapur në të gjithë botën. Rezultati: Lily së shpejti do të takojë përmes Zoom-it me fëmijët e ushtarit, që në kartëmonedhë kishte firmosur "ndihmës i kapitenit Schachter". Fatkeqësisht ai ka ndërruar jetë shtatë vjet më parë. Emri i tij është Hayman Shulman, gjithashtu hebre. Pikërisht këtu qëndron përgjigjja e pyetjes pse ai u afeksionua pas vajzës. "Ne nuk kishim as një copë letër, nuk kishim asgjë - i tha ajoa Sky News-it të mërkurën -. Nuk mund të shpjegohet, veçanërisht sot. Ne ishim qenie njerëzore pa asgjë. Ai njeri ishte me të vërtetë i pari që bëri një gjest njerëzor, dhe kjo do të kishte shumë kuptim për mua".



