Një ditë pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vendosi të tëheqë padinë në gjykatë ndaj Ramush Haradinajt, kreut të AAK-së të akuzuar për shpifje, mediat kosovare kanë publikuar dokumentin që tregon se nga fjalët është kaluar në vepra.
Dokumenti tregon se Edi Rama ka tërhequr padinë ndaj Haradinajt, një padi e cila u ngrit pasi Haradinaj bëri disa akuza për Ramën në lidhje me shkëmbimin e territoreve që flitej mes Serbisë dhe Kosovës.
Një ditë më parë, kryeministri Rama, pas një sërë takimesh me krerët e partive politike në Kosovë, për çështjen e tërheqjes së padisë ndaj Haradinajt deklaroi:
“Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve për të shkuar dhe për ta vizituar në selinë ose shtëpinë e tij siç takova Isa Mustafën, si një paditës që shkon te i padituri, besoj se nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, por doja të diskutoja për këtë çështje që është shumë më e madhe se unë se Haradinaj, se Thaçi e se Veseli, pasi implikimet e saj mund të jenë shumë të mëdha për të ardhmen e Kosovës.
Unë do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por është shumë më e madhe se ajo që po ndodh sot. Nuk e di se çfarë ndikimi mund të ketë, porsa më takon vetëm ajo pjesë pjesa tjetër është pa problem, pa padi me padi, Ramush Haradinaj, nuk është politikan dhe kryeministër për është një person që është hero për figurën e tij,”- është shprehur Rama.
Rama ishte në Kosovë pas aktakuzave të ngritura nga Zyra e Prokurorit Speciale ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për të cilin thuhet se së bashku me Kadri Veselin, kreun PDK-së, kanë kryer krime lufte.



