Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të sigurojnë kalim të sigurt për anijet tregtare dhe të ndalojnë sulmet ushtarake në Detin e Zi. Lajmin e ka bërë me dije Shtëpia e Bardhë.
Sipas një deklaratë zyrtare bëhet me dije SHBA dhe Rusia kanë rënë dakord të sigurojnë lundrim të sigurt , të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për përdorim ushtarak në Detin e Zi.
SHBA thotë se Rusia ra dakord të përpilojë disa masa për të zbatuar një ndalim të sulmeve kundër objekteve energjetike në Ukrainë dhe Rusi.
Po ashtu bëhet me dije se Ukraina ka rënë dakord për këto dy pika.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se lëvizja e luftanijeve ruse jashtë pjesës lindore të Detit të Zi do të trajtohet si shkelje e marrëveshjes dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të Ukrainës.
“Në këtë rast Ukraina do të ketë të drejtën e plotë për të ushtruar të drejtën e vetëmbrojtjes”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes në X.
Nga ana tjetër, Kremlini në deklaratën e vet sqaron se marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pasi të hiqen sanksionet nga bankat ruse të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të ushqimit dhe plehrave, dhe ato të jenë rilidhur plotësisht me Swift - një rrjet që lehtëson mesazhet e sigurta financiare midis bankave.



