
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi për mediat se është duke u bërë çdo gjë që 3 policët të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të pacenuar. Kurti bëri me dije se javën që vjen shefi i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të vizitojë tre policët. Edhe një herë tjetër kryeministri Kurti i bëri thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë agresionin e Serbisë. “Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar. Ndërkaq në anën tjetër ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësit i tyre antiterror dhe njësiti i tyre ‘Kobra’ i ushtrisë. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori ynë Jetish Jashari, që përndryshe është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë”.



