Bashkimi Europian i ka akorduar Shqipërisë 50 milionë euro si një ndihmë për të luftuar Koronavirusin.
Lajmin e bëri të ditur fillimisht ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luiggi Soreca dhe më pas edhe kryeministri Edi Rama.
Përfaqësuesi i BE-së në Tiranë thotë se shuma në fjalë ndahet në tre zëre, ku 4 mln euro shkojnë menjëherë për pajisje dhe mbështetje shëndetësore, ndërsa 11 mln euro për mbrojtje sociale.
Pjesa tjetër do të shkojë për përballuar pasojat në ekonominë shqiptare.
Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili shkruan se Zoti i shqiptarëve është i madh.
“BASHKIMI EUROPIAN I AKORDON SHQIPËRISË 50 MILIONË EURO PËR LUFTËN KUNDËR COVID-19.
Zoti i shqiptarëve është i Madh”, shkruan Rama.
Për këtë ndihmë reaguan edhe kreu i Shtetit, Ilir Meta dhe kryeopozitari Lulzim Basha.
“Një ndihmë e çmuar në betejën kryesore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë!”, shkruan Kreu i Shtetit.
“Nuk jemi vetëm! Mirënjohje Bashkimit Europian për këtë ndihmë të çmuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, në këtë ditë të vështirë!”, i bën tweet Basha statusit të ambasadorit Soreca.



