Kryeministrja franceze Elisabeth Borne ka dhënë dorëheqjen, tha presidenca franceze të hënën, ndërsa Presidenti Emmanuel Macron kërkon t'i japë një shtysë të re mandatit të tij të dytë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe Olimpiadës së Parisit këtë verë.
Ndryshimi në kryeministri vjen pas një viti të dëmtuar nga krizat politike të shkaktuara nga reformat e kontestuara të sistemit të pensioneve dhe ligjet e emigracionit.
Sondazhet e opinionit tregojnë se partia e Macron është pas lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen me rreth tetë deri në dhjetë pikë për zgjedhjet e qershorit për BE.
Spekulimet për një riorganizim të qeverisë ishin të përhapura që kur Macron në dhjetor premtoi një nismë të re politike.
Ndër ata që citohen si kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar Borne janë ministri 34-vjeçar i Arsimit Gabriel Attal dhe ministri i Mbrojtjes 37-vjeçar Sebastien Lecornu, secili prej të cilëve do të ishte kryeministri më i ri i Francës.
Ministri i Financave Bruno Le Maire dhe ish-ministri i Bujqësisë Julien Denormandie janë përmendur gjithashtu nga ekspertët si opsione të mundshme.



