Nga dita e hënë në pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe mes Maqedonisë së veriut dhe Kosovës do të ketë vetëm një pikë kontrolli. Kontrolli i përbashkët i kufirit lehtëson ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis vendeve, ka bërë të ditur Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon. Zëvendëskryeministri i MV, Artan Grubi, ka shkruar se kjo bëhet me qëllim që të lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe njerëzve. “Në cilësinë e koordinatorit qeveritar për procesin e vendosjes së kontrolleve të përbashkëta të kufirit me Shqipërinë dhe Kosovën, me kënaqësi të madhe ju njoftoj që nga dita e hënë, me 31 korrik 2023, kontrolli i përbashkët i kufirit midis Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë hyn në fuqi dhe do të jetë plotësisht funksional për ta lehtësuar dhe thjeshtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona. Bashkë me ndërtimin e korridorit 8, lidhja midis Shkupit dhe Tiranës bëhet super moderne, e sigurt dhe e shpejtë si dhe po tejkalohen të gjitha pengesat midis nesh”, ka shkruar Grubi. Ndërkaq vetëm disa ditë më parë u nënshkrua protokolli i fundit për zbatimin e Marrëveshjes për vendosjen e një vendkalim të përbashkët kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Modeli kufitar “One – Stop – Shop” ishte një nga pikat që u ra dakord në vitin 2019 mes ministres shqiptare të Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe homologut të saj në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.



