“OSBE nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ajo është këtu për të këshilluar në lidhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ndëse doni zgjedhje të lira e të ndershme, kërkojuani politikanëve tuaj”. Me këto fjalë u është drejtuar votuesve shqiptarë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, sot gjatë konferencës me temë “Ne, populli; pjesëmarrja qytetare dhe demokracia e drejtpërdrejtë”.
Borchard tha se ka ardhur koha që vetë populli ta marrë në kontroll dhe të jetë i vetëdijshëm për pushtetin e tij të vërtetë.
“Kohët e fundit, është drejtuar gishti nga OSBE-ja për dështimin e procesit të reformës zgjedhore, por a i keni pyetur udhëheqësit tuaj përse reforma nuk ka ecur më përpara? Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë? Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet. Unë mund t'ju them se kemi nxitur, kemi inkurajuar, kemi bërë thirrje për reforma dhe jemi përpjekur që ato të bëhen realitet, që kur dolën në dritë rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR-it, në vitin 2013 dhe në vitin 2015. Është detyrim i çdo shteti pjesëmarrës të OSBE-së, në këtë rast Shqipërisë, që të adresojë me shpejtësi rekomandimet e ODIHR-it. Ne kemi ofruar mbështetje teknike për zbatimin e tyre dhe e mbajtëm premtimin kur ofruam të sillnim ekspertizë ndërkombëtare të nivelit të lartë për çështjet zgjedhore. Ka ende kohë për të rregulluar raportimin financiar, për të ndihmuar në shmangien e mashtrimit zgjedhur duke rritur gjobat, për të ndaluar që kronikat televizive të përgatitura nga partitë të transmetohen pa kontroll, si edhe për të garantuar kuotat gjinore. Por, ne nuk mund ta bëjmë reformën për ju! E keni ju në dorë që të përfshiheni, të angazhoheni, të bashkoheni dhe ta kërkoni”, tha ai.
Borchard nënvizoi rolin vëzhgues dhe këshillues të OSBE-së dhe shtoi se “ne nuk mund të ndikojmë në mënyrë thelbësore dhe as të legjitimojmë sjellje apo rezultate”.
“Në raportet e ODIHR-it, gjeni këshilla të rëndësishme për përmirësime, por ODIHR-i nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra. Gjithçka që mund të bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë është të japin këshilla dhe të përpiqen të shohin shembuj të praktikave të mira dhe të këqija, por ata nuk mund të ndryshojnë thelbësisht sjelljet apo rezultatet”.
Ai theksoi se është në dorën e partive politike garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Nëse doni zgjedhje të lira e të ndershme kërkojuani partive politike që të punojnë për to. E kanë ata në dorë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme – me mënyrën si mbledhin fonde, me mënyrën si bëjnë fushatë, me kandidatët që vënë në lista, me personat që zgjedhin si komisionerë dhe me mënyrën si numërojnë votat. Ka ende kohë për të forcuar kodin zgjedhor, por tik-taku ecën. Kini parasysh një gjë: ju, qytetarët e Shqipërisë, jeni forca më e rëndësishme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jeni ju që vendosni nëse do ta shisni votën tuaj apo jo. Jeni ju që vendosni ta fotografoni apo jo fletën tuaj të votimit. Jeni ju që vendosni të pranoni apo jo shfrytëzimin e hierarkive të shërbimeve publike. Jeni ju që vendosni të jeni apo jo një komisioner i ndershëm. Jeni ju që vendosni të toleroni apo jo krimet kundër kodit zgjedhor. Jeni ju që vendosni nëse do të votoni apo jo. “Ne kemi demokracinë që meritojmë”. Të hënën, më 19 qershor, mëngjesin pasardhës, qytetarët e Shqipërisë do të kenë rezultatin që meritojnë dhe udhëheqësit që meritojnë. Demokracia nis nga ju. Ju lutem, mos e merrni të mirëqenë”, përfundoi ai.



