Mjekët dhe infermierët kinezë duhet të vazhdojnë të punojnë edhe kur janë të infektuar me Covid-19, raportuan stafi dhe banorët, pasi virusi është përhapur gjerësisht në popullatë në vazhdën e lehtësimit të kufizimeve.
Kina thotë se përhapja e Covid-it është e pamundur të gjurmohet ndërsa infeksionet rriten në Pekin.
Disa spitale në Pekin kanë deri në 80% të stafit të tyre të infektuar, por shumë prej tyre ende u kërkohet të punojnë për shkak të mungesës së stafit, tha një mjek në një spital të madh publik në Pekin për Reuters.
Të gjitha operacionet ishin anuluar në spitalin e tij, përveç nëse pacienti rrezikonte të “vdiste nesër".
Një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të mërkurën se shpërthimi infektimeve në Kinë filloi “shumë përpara” se kufizimet të hiqeshin, por që nga ndryshimi i papritur në politikat qytetet kryesore kineze, duket se kanë përjetuar një rritje të madhe të rasteve të Covid-19 .
Autoritetet kanë thënë se është “e pamundur” të matet, pasi shumica e njerëzve nuk po testohen.
Shpërthimi i rasteve në Kinë kishte filluar shumë përpara çdo lehtësimi të politikës zero-Covid”, tha të mërkurën shefi i urgjencave të OBSH-së, Michael Ryan.
Sipas tij, Kina i hoqi kufizimet papritur, duke bërë që sëmundja të dalë jashtë kontrollit.
Në Sichuan, një mjek me mbiemrin Li i tha Reuters se spitali i tyre terciar ishte “i mbingarkuar me pacientë”.
Ka 700, 800 njerëz me ethe që vijnë çdo ditë. Po na mbarojnë rezervat e ilaçeve për ethet dhe të ftohtin.
Disa infermierë në klinikën e etheve u testuan pozitive, nuk ka ndonjë masë të veçantë mbrojtëse për stafin e spitalit dhe besoj se shumë prej nesh së shpejti do të infektohen.
Përhapja e infektimeve nuk kufizohet vetëm në Pekin, pasi banorë nëpër qytete të tjera të mëdha i thanë Guardian se ndjehet sikur “rastet pozitive janë kudo”.
Një banor i Chongqing tha se të gjithë mësuesit në shkollën e fëmijëve ishin pozitivë dhe klasat kishin nisur mësimin online. Në Zhengzhou, një person tha se shumë biznese kishin kaluar në punën nga shtëpia.
Një banor i Guangzhou deklaroi se rrugët ishin të qeta, me shumë njerëz në shtëpi, por bizneset dhe restorantet ishin ende të hapura.
U përpoqa të telefonoja linjën telefonike të spitalit, por askush nuk u përgjigj në telefon.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se qeveria amerikane ishte e gatshme të ndihmonte Kinën me shpërthimin nëse Pekini kërkonte.
Kirby u tha gazetarëve se Kina nuk ka kërkuar ndihmë në këtë fazë.
OBSH gjithashtu ngriti shqetësimet se popullsia e Kinës prej 1.4 miliardë banorësh nuk ishte e vaksinuar siç duhet.
Kina ka thënë se rreth 90% e popullsisë së saj është e vaksinuar dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) njoftoi të mërkurën se do të përdorë vaksinat e dyta përforcuese për grupet me rrezik të lartë dhe të moshuarit mbi 60 vjeç.



