
Gjatë një operacioni të Guardia di Finanza, është sekuestruar një gomone me 885 kg hashash në brigjet e Foggias në Itali, pas ndjekjes nga policitë e të dyja shteteve. Mjeti lundrues u pikas gjatë përgjimeve dhe menjëherë ka nisur aksioni i koduar “Triton 2017”, që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes, dhe ka vënë pranga 2 trafikantët shqiptarë nga Vlora.
Sipas raportimit të mediave të shtetit fqinj, trafikantët hodhën në det një pjesë të ngarkesës me drogë.
Përpos motovedetave italiane, në aksion morën pjesë edhe helikopterët. Në fillim u gjet gomonia oqeanike 9 metra e gjatë, me 2 motorrë të fuqishëm, që skafistët e kishin braktisur afër bregut. Më pas, në një banesë u gjetën vlonjatët me inicialet K.B, 52 vjeç dhe B.A, 39 vjeç, të cilët i kishin ende rrobat e lagura kur u arrestuan.
Kanabisi i konfiskuar nga Guardi di Finanza, pjesërisht është rikuperuar në det dhe rezultoi se ishte paketuar në 55 pakoa të madhësive të ndryshme, me një peshë të përgjithshme prej 885 kg. Nëse shitej me pakicë, prej saj do të fitoheshin jo pak, por 8 milionë euro.
Operacioni u zhvillua nga autoritetet policore shqiptare, në bashkëpunim me grupin e kufirit detar të Guardia di Finanza të vendosur në Durrës.



