Mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake ndaj Fredi Belerit. Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live thekson se nëse do t’i refuzohet leja e posaçme për t’u betuar si kryebashkiak, automatikisht Himara do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi afati i betimit përfundon më 21 shtator.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live tha se mbetet "për t’u sqaruar nëse ministri i Brendshëm grek do të marrë pjesë në seancën paraprake, apo do të ketë vetëm takime në paraburgimin e Durrësit me përfaqësuesin e minoritetit grek Fredi Beleri, të cilin ata e konsiderojnë kryebashkiak të Himarës, të zgjedhur me votë. Fredi Beleri pritet të jetë i pranishëm sot, ku në orën 12:00 Prokuroria e Posaçme do t’i kërkojë gjykatës çeljen e gjykimit ndaj Fredi Belerit. Nga ana tjetër ai kërkon pushimin e akuzës pasi nuk ka prova. Sot është një ditë e rëndësishme, pasi ka më pak se një javë afat ku Fredi Beleri mund të shohë dritën e lirisë, për t’u betuar qoftë edhe provizorisht përmes një lejeje të posaçme. Në rast se gjykata do ta refuzojë edhe sot atëherë automatikisht Himara do të shkojë në zgjedhje të posaçme. Pasi Fredi Beleri më 21 shtator, nëse nuk del edhe me leje të posaçme atëherë i humb e drejta që të jetë kryebashkiak i Himarës”.
Beleri ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por burgjet ia kanë refuzuar. SPAK kërkon gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor.



