
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se masat e Bashkimit Europian kundër Kosovës e kanë dëmtuar dialogun me Serbinë.
Në një intervistë për “Deutsche Welle” para takimit të 14 shtatorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kurti vuri në dukje se 6 muaj pas arritjes së marrëveshjes në Ohër nuk ka ende zbatim.
“Javën që shkoi janë bërë një vit prej se emisari i posaçëm i Gjermanisë Jens Plöttner dhe ai i Francës Emanuel Bonn, bashkë me emisarin evropian Lajçak prezantuan iniciativën franko-gjermane që mandej u bë propozim i BE-së, për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen de facto në qendër. Një vit nuk është pak dhe gjatë këtij viti ne kemi qenë konstruktivë dhe kreativë. Javën e ardhshme bëhen gjashtë muaj prej se zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se ‘We have a deal', pra kemi marrëveshje, sepse u pranua edhe aneksi i zbatimit. Andaj edhe gjashtë muaj nuk janë pak, dhe ja ku jemi sot, në prag të takimit të 14 shtatorit dhe nuk kemi zbatim të marrëveshjes”, tha Kurti.



