Shkencëtarët egjiptianë thonë se fosili i një balene prehistorike me katër këmbë, e zbuluar mbi një dekadë më parë në Shkretëtirën Perëndimore të vendit, është ajo e një specieje të panjohur më parë. Krijesa, paraardhëse e balenës së ditëve moderne, besohet se ka jetuar 43 milionë vjet më parë.
Balena parahistorike, e njohur si gjysmë ujore sepse jetonte si në tokë ashtu edhe në det, kishte tiparet e një gjahtari të suksesshëm, tha paleontologu kryesor i ekipit, Hesham Sallam, karakteristika që e bëjnë atë të dallohet midis fosileve të tjera të balenave.
Fosili u gjet për herë të parë nga një ekip ambientalistësh egjiptianë në vitin 2008 në një zonë që ishte mbuluar nga detet në kohët parahistorike, por studiuesit publikuan vetëm gjetjet e tyre që konfirmonin një specie të re muajin e kaluar.
Sallam tha se ekipi i tij nuk filloi të ekzaminonte fosilin deri në vitin 2017 sepse ai donte të mblidhte paleontologët më të mirë dhe më të talentuar egjiptianë për studimin.
"Kjo është hera e parë në historinë e paleontologjisë egjiptiane të vertebrorëve që të ketë një ekip egjiptian që drejton një dokumentim të një gjinie dhe lloji të ri të balenës me katër këmbë," tha Sallam.
Fosili hedh dritë mbi evolucionin e balenave nga gjitarët barngrënës në specie mishngrënëse që sot jetojnë ekskluzivisht në ujë. Tranzicioni u zhvillua gjatë afërsisht 10 milion vjet, sipas një artikulli të botuar mbi zbulimin në revistën Proceedings of the Royal Society B.
Rajoni i Shkretëtirës Perëndimore të Egjiptit është i njohur tashmë për të ashtuquajturën Lugina e Balenave, një atraksion turistik dhe vendi i vetëm natyror i Trashëgimisë Botërore të vendit që përmban mbetje fosile të një lloji tjetër të balenave parahistorike.
Krijesa e sapo zbuluar i përket familjes së Protecetids, balenave gjysmë ujore të zhdukura që jetuan nga 59 në 34 milion vjet më parë, tha Sallam. Do të kishte ecur në tokë, por edhe do të gjuante në ujë.
Balena fosile është quajtur Phiomicetus Anubis, pas perëndisë së vdekjes në Egjiptin e lashtë.
Lloji i ri dallohet për kafkën dhe feçkën e zgjatur që sugjerojnë se ishte një mishngrënës efikas i aftë për të kapur dhe përtypur gjahun e tij. Ishte rreth 3 metra e gjatë dhe peshonte rreth 600 kilogramë, sipas studiuesve. Besohet gjithashtu se kishte dëgjim të mprehtë dhe ndjenjë të nuhatjes.



