
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, do të rikthehet në burg pas vendimit përfundimtar të Apelit të Posaçëm, i cili la në fuqi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg, dhënë më herët nga GJKKO.
Sipas përllogaritjeve ligjore, Dako ka vuajtur një pjesë të dënimit në paraburgim dhe arrest shtëpie, ndaj i kanë mbetur për të kryer vetëm 10 ditë burgim.
Megjithatë, ekzekutimi i vendimit është pezulluar përkohësisht, pasi Dako është shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit, pas raportimeve për probleme shëndetësore.
Korrespondentja e “MCN Live” në Durrës, Ervina Garo, raportoi se gjendja shëndetësore e Dakos paraqitet e stabilizuar, por vendimi për transferimin e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit do të merret pas vlerësimit të mjekëve.
Mjekët pritet të japin një përgjigje zyrtare në orët në vijim për të përcaktuar nëse z. Dako është në gjendje të mirë shëndetësore për të ekzekutuar dënimin.
Deri atëherë, ai vijon të qëndrojë në ambientet e spitalit të Durrësit, ku ndodhet nën kujdes mjekësor dhe mbikëqyrje nga policia.
Në rast se mjekët konfirmojnë se nuk ka pengesa shëndetësore, vendimi do të ekzekutohet dhe Dako do të transferohet në një nga burgjet e Tiranës për të vuajtur ditët e mbetura të dënimit.



