Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur pasditen e sotme tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë njoftoi një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për studentët që vijnë nga shtresat vulnerabël, duke e lidhur këtë me situatën e re sociale që po kalon vendi dhe mbarë Europa.
Kemi vendosur të rrisim më shumë se dyfish mbështetjen financiare për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, e cila do të shkojë në nivelin e gjysmës së pagës minimale. Mbi të gjitha, unë besoj fort se kjo situatë e re në Europë dhe në Shqipëri, si rezultat i arsyeve që janë të ngjashme dhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçka që ndihmon socializimin.
Rama tha se do të nisin konsultimet për ndalimin e plotë të aksesit në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 16 apo 18 vjeç. Sipas tij, kjo masë synon të shmangë hapjen e llogarive individuale nga ana e fëmijëve.
Shumë nga këta të mitur duhet që të kufizohet aksesi në rrjetet sociale për të mitur 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Duhet të nisim konsultimin për kufizimin e rrjeteve sociale për të mitur, që është një trend që është bërë në një sërë nga vendet demokratike.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, bëri me dije kryeministri Rama. Sipas tij, kjo do të ndihmojë prindërit që punojnë, ndërsa fëmijët do të merren me aktivitete kulturore e sportive që ndihmojnë edhe socializimin e tyre.
Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite.



