
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, bëri të ditur përfundimin e projekteve të ndërtesave me apartamente që do të ndërtohen për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kompleksi do të ndërtohet në Thumanë, një nga zonat më të prekura nga tërmeti.
“Të dashur miqtë e mi. Me një shpejtësi rekorde përfundoi projekti i ndërtesave me apartamente moderne, që do të ndërtohen në Thumanën e goditur nga tërmeti rreth 3 javë më parë. Tani është çdo gjë gati për të filluar ndërtimi, i cili do të financohet komplet nga familja Pacolli, nëpërmjet fondacionit “Behgjet Pacolli”. Falënderoj të gjithë grupin që punuan në punët pregaditore dhe projektuese”, shkruan Pacolli në Facebook.
Behgjet Pacolli ishte ndër zyrtarët e parë të lartë të Kosovës që vizitoi zonat e dëmtuara nga tërmeti. Ai premtoi një invesim prej 1 milion eurosh për familjet që kanë humbur njerëzit e dashur dhe shtëpitë më 26 nëntor.



