Ngjarja e rëndë në Londër, një punonjës policie përdhunoi dhe më pas vrau një 33-vjeçare

Ngjarja e rëndë në Londër, një punonjës policie përdhunoi dhe më pas vrau një 33-vjeçare

Duke iu referuar këtij qëndrimi, kam ngasjen të bëj një vështrim krahasimor. Ky reagim i një të dënuari (që mban kokën ulur gjatë seancës gjyqësore kundër tij) nuk është diçka episodike në Britani, por rutinore. Dhe ndërkohë, është diçka që nuk ndodh pothuajse asnjëherë në vendin tonë.

Në Shqipëri, personat që kryejnë krime, personat që shoqërohen nga policia për në burg, për në sallën e gjyqit, apo edhe që gjykohen brenda gjykatës, rrinë sikur të jenë spektatorë, sikur të jenë moderatorë të programit “Arnautistan”. Ata nuk e ulin asnjëherë kokën. Të krijohet përshtypja se ata janë krenarë për atë që kanë bërë. A thua se ajo që kanë bërë nuk ka qenë një gjest kriminal, por një gjest heroik.

Në sallën e gjyqit, ishin edhe familjarët e viktimës, që quhej Sarah. Ata shoqëronin prindërit e saj. Të gjithë ishin të pikëlluar, me lot në sy, dhe gjatë gjithë kohës, shikonin autorin e krimit. Nuk kishte emocione të egra në ato vështrime – sipas raportimeve të gazetave.

Kishte thjesht dhimbje për njeriun që u kishte ikur. Në të njëjtën kohë, ai vështrim mbartte edhe një lloj dëshire të tyren për të kuptuar se përse njeriu që kishin përballë, dhe rrinte me kokën ulur, i kishte marrë jetën pa asnjë arsye njeriut të tyre. Pas vendimit të gjyqtarit, familjarët e viktimës lexuan edhe një deklaratë të tyren, e cila ishte shumë e hijshme dhe emocionuese.

Midis të tjerash, ata thanë se “asnjë gjyq, asnjë vendim e asnjë dënim nuk mund të na e kthejë atë që humbëm. Por vendimi që u mor për të burgosur përjetë atë njeri, na lehtësoi disi, sepse ideja se ai njeri nuk do të jetë më i lirë në këtë botë është disi ngushëlluese.” Ky ishte maksimumi që thanë ata.

Nëse do të bënim përsëri një vështrim krahasimor, ne shqiptarët kemi një stil tjetër në rrethana të ngjashme. Të gjithë kemi parë familjarë viktimash, të cilët reagojnë krejt ndryshe. Sa herë kemi dëgjuar shprehjen se “nëse gjykata nuk merr vendimin e duhur e të drejtë, atëherë do të jemi ne që do të vëmë drejtësi në këtë botë.”

Kjo thotë shumë! E në të njëjtën kohë, familjarët e viktimave këtu në Shqipëri - të gjithë ne shqiptarët - e shohim këtë rast si mundësi për të zbardhur emocione të egra, tepër të forta, ekstreme. Ndonjëherë, synojmë të bëjmë edhe protagonistin mediatik në një rrethanë të tillë, ku vetëm për protagonizmin e familjarëve nuk ka vend.

Ne shqiptarët, në rrethana tragjike për ne (sepse fatkeqësisht ngjarje të tilla ndodhin, e të gjithë mund të gjendemi në situata tragjike), nuk e kemi për gjë të bëjmë protagonistin mediatik. Një gjë që mua nuk më pëlqen fare; dhe me këtë qëndrim shpresoj të bashkohen sa më shumë prej jush.

Mua më pëlqyen reagimet e gjyqtarëve. Më pëlqyen edhe komentet e lexuesve, në fund të raportimeve online. Por gjithashtu, më tërhoqi vëmendjen edhe reagimi i ministres së Brendshme, Priti Patel. Ajo doli në publik, dhe në referim të kësaj ngjarje, tha se “këtu ngrihen disa pyetje shumë të rëndësishme, të cilave Scotland Yard (Policia Metropolitane) duhet t’u japë përgjigje.”

Ajo la të nënkuptohej se u bashkohej zërave që kishin kërkuar dorëheqjen e shefes së policisë në fjalë, e cila është gjithashtu një zonjë. Ajo thjesht tha diçka për të nënkuptuar dorëheqjen e saj, por nuk ia kërkoi këtë gjë. Nuk e shkarkoi, sepse nuk e ka ajo në dorë shkarkimin.

Emërimet dhe shkarkimet e njerëzve në krye të institucioneve të tilla, janë në dorë të disa institucioneve, që duhet të marrin vendime korale. Këto janë institucione që jo vetëm i përkasin pushtetit, të natyrës politike, por edhe jo politike.

Me këtë dua të them se poste të tilla nuk lidhen domosdoshmërisht, dhe ekskluzivisht, me njerëz që janë në pushtet. Dhe pasi këta të fundit largohen nga zyra, personat në postet drejtuese, që nuk kanë të bëjnë me pushtetin, mbeten aty si një garanci e madhe për të gjithë ata që duan të kenë të mbrojtur atë pjesën natyrore të shtetit. Kur do të vijë ajo ditë që edhe në Shqipëri të ndodhë kështu? Kjo është një pyetje retorike nëpërmjet së cilës dua të mbyll këtë monolog.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy