
Teksa sezoni i ri turistik po afrohet, në Sarandë janë ngritur shqetësime nga shoqata mjedisore lidhur me mungesën e ujit të pijshëm.
Lidhur me këtë çështje, në studion e “MCN Informacion”, aktivistja Etleva Merko u shpreh se qyteti vijon të përballet me kushte të papërshtatshme dhe me të njëjtin problem të mungesës së ujit të pijshëm.
Etleva Merko:
Jemi në kushte të papërshtatshme për nisjen e sezonit turistik. Është për të ardhur keq që Saranda, një nga destinacionet më të bukura bregdetare, ndodhet ende në këto kushte jo pozitive për të mirëpritur sezonin e ri.Një ndër problematikat kryesore është uji i pijshëm.
Po ashtu, shqetësim mbetet edhe infrastruktura, pasi në disa segmente rrugore punimet janë ende në proces. Nëse sezoni nis pa zgjidhur çështjen e ujit, do të përballemi sërish me të njëjtën situatë si çdo vit.
Kryetarja e PD në Sarandë, Matilda Qurku, dhe këshilltari bashkiak Ibrahim Bajrami theksuan se kjo problematikë vazhdon prej më shumë se një dekade.
Matilda Qurku:
Kjo është një problematikë e kahershme në Sarandë.Prej vitesh është kërkuar që prioritet të ketë ujësjellësi i qytetit, por kjo nuk është realizuar.
Mungesa e ujit është evidente, edhe në prag të sezonit turistik, duke ndikuar negativisht në imazhin e qytetit. Ndërkohë, kemi burime ujore që derdhen në det dhe nuk shfrytëzohen.
Edhe infrastruktura rrugore mbetet problem, pasi në shumë zona është e paaksesueshme.
Prej 12 vitesh janë bërë vetëm premtime të pambajtura dhe nuk ka pasur investime serioze për ujin e pijshëm.
Ibrahim Bajrami:
Saranda e ka pasur këtë problem gjithmonë. Ndërhyrjet në sistemin e ujësjellësit kanë qenë të pamjaftueshme.Ksamili furnizohet më mirë me ujë se Saranda, deri në 10 orë në ditë, por asnjë zonë nuk furnizohet 24 orë. Aktualisht, administrimi i ujit dhe kanalizimeve nuk është më në varësi të bashkisë së Sarandës, por menaxhohet nga qendra.
Problemi nuk është vetëm ta ngremë si shqetësim, por të gjejmë zgjidhje konkrete.



