Energjia e rinovueshme apo energjia e gjelbër shihet si e ardhmja e energjisë në të gjithë botën, ndërsa qeveritë po shfrytëzojnë burime të rinovueshme për të furnizuar kërkesën në rritje për energji.
Shqipëria është një nga vendet, politikat e së cilës janë orientuar drejt energjisë së rinovueshme, ndërkohë që ne renditemi të tretët në Europë pas Norvegjisë dhe Islandës për sasinë e lartë të prodhimit të energjisë elektrike për konsum nga burimet e rinovueshme, në raport me totalin e konsumit.
Sipas Eurostat, për shkak të burimeve ujore të shumta dhe varësisë së lartë të prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et, Shqipëria, siguron 92% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, kryesisht uji.
Një tregues i tillë e rendit Shqipërinë në një nivel të lartë për cilësinë e energjisë, e cila nuk shkakton ndotje në mjedis dhe është në përputhje me objektivat globale për zhvillimin e qëndrueshëm.
Por cilat janë sfidat përpara të cilave ndodhet vendi ynë përsa i përket prodhimit dhe përdorimit të energjisë së rinovueshme?
Në ç’mënyrë mund të përdoret energjia e gjelbër si një mënyrë për rritje ekonomike, çfarë është energjia e gjelbër dhe si prodhohet ajo?!
Përgatiti: Blerina Goce



