Gjashtë kompani i janë përgjigjur kërkesës së KQZ për vlerësimin mbi kostot e përdorimit të sistemit dhe pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në procesin e përllogaritjes së vlerës financiare së pritshme të kontratës për implementimin e Sistemit Elektronik të Identifikimit të Votuesve dhe Pajisjeve Elektronike të Identifikimit, që do të përdoren në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021.
“Me qëllim rritjen e numrit të kompanive të përfshira në procesin e marrjes së treguesve ekonomikë, kërkesa e KQZ-së për vlerësimin mbi kostot e përdorimit të sistemit dhe pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve, nga 20 ju dërgua edhe 2 komanive të tjera duke e çuar numrin në 22 kompani”, njoftoi sot KQZ.
KQZ thekson se “nga këto 22 kompani, kërkesës i janë përgjigjur 6 prej tyre:
CGTS, me kosto projekti 28.250.000$
TCN, me kosto projekti 14.831.126€ dhe 17.430.764€
CIELA, me kosto projekti 24.540.275€
DERMAOLOG IDENTIFICATION SYSTEM GmbH, me kosto projekti 12.770.404€
SMARTMATIC ËORLDËIDE HEADQUARTERS, me kosto projekti 20.723.000$
THALES GROUP, me kosto projekti 15.500.000€”.
KQZ thekson se, “në përfundim të afateve të njoftuara, me administrimin e informacionit dhe të dhënave të dërguara nga kompanitë të cilat i janë përgjigjur kërkesës së KQZ, do të përcaktojë buxhetin për projektin e identifikimit elektronik të votuesve, si dhe do të hartojë dokumentacionin e tenderit mbi të cilin do të fillojnë procedurat e prokurimit”.
Ndërkohë, KQZ njofton se, “i është drejtuar 6 kompanive me eksperiencë ndërkombëtare që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe/ose me përvojë në proceset zgjedhore, për të prezantuar një vlerësim mbi kostot e implementimit të Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Votimit dhe Rezultateve (SEMVR) dhe Pajisjeve Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN) që do të përdoren në zgjedhjet e datës 25 prill 2021”.



