Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorit Sotir Kllapi dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Në të njëjtën dosje përfshihen edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv, si dhe Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, të cilët akuzohen për pastrim parash.
Hetimet nga SPAK u mbyllën në gusht të vitit 2025, ndërsa vetëm këtë të mërkurë Gjykata e Posaçme mori vendimin përfundimtar për kalimin e çështjes në gjykim.
Sipas hetimeve, Ilir Meta akuzohet për përfshirjen në marrëveshjen CEZ-DIA, lobime dhe shpenzime familjare, ndërsa Monika Kryemadhi akuzohet për tre raste korrupsioni dhe ndërhyrje estetike.
Sa i përket Pirro Xhixhos, SPAK ka deklaruar se dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si kryetar i AKEP-it, duke ndikuar tek drejtuesit e një kompanie telefonike për të lidhur kontrata interkonjeksioni në përputhje me porositë e Meta-Kryemadhit. Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2019, pas dy kallëzimeve të ardhura në SPAK.
Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar, përfshirë edhe një kërkesë të fundit të shqyrtuar nga Gjykata e Lartë.



