Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Elbasan, ku një person që shoqëronte makinën me ndihma PS në këmbim të votave humbi jetën, PD ka ngritur akuza për vjedhje të votave në zona të tjera të vendit. Kandidati demokrat për deputet në Tiranë, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza korrupsion në Vaqarr, ku i përfshirë është kryetari i kësaj zone. Në një intervistë me Skype për MCN tha se partia që përfaqëson do të vazhdojë të zbulojë skandale të tilla, ndërsa për këto ngjarje tha se ka marrë qindra falënderime nga qytetarët. I pyetur nëse druheni faktit që shqiptarët do dekurajohen për të dalë në zgjedhje, Këlliçi u përgjigj:
“Jo. Sot kam depozituar fakte të një kallëzimi në SPAK, të atij që njihet në zonë si banditi i tokave, Gentian Myrto, dhe deri në këto momente kam marrë qindra SMS dhe telefonata nga banorët e Vaqarrit që janë të çliruar nga ky person që ka mbrojtjen e Ramës dhe Veliajt, që ka grabitur pronat e tyre. Ikni në shtëpitë e qytetarë të thjeshtë dhe më tregojnë si është grabitur pronat dhe kanë frikë të flasin. Çdo qytetar dhe zyrtar që ka abuzuar duhet të ndëshkohet”.
Veç kryetarit të Vaqarrit, a do ketë edhe padi të tjera nga ju?
Belind Këlliçi: Do të ngremë padi për të gjithë ata zyrtar që ndërhyjnë në procesin e zgjedhjeve, është e rëndësishme që t’u vrasim frikën, të garantojmë që nuk ndëshkohet vetëm qytetari i thjeshtë, por edhe zyrtari. Zyrtarë publikë po intimidojnë qytetarët. Zbuluam në Vaqarr skandalin duke shpërndarë ushqime dhe brenda në qese zarfe të mbyllur, me lista zgjedhësish dhe me dokumentet që janë të nevojshme për procedurat e legalizimeve. Kam shkuar vetë në vendngjarje kam kërkuar ndihmë nga Komisariati nr. 6, kemi shoqëruar makinën në ambientet e komisariatit, dhe në prani të Islam Hakës, zv.kreu i Krimeve, janë manipuluar provat. Bledar koka, ka manipuluar provat duke futur zarfet në xhep.
Për ngjarjen e Elbasanit, socialistet ju akuzojnë se jeni ju nxitës të dhunës. Çfarë përgjegjësie ka PD për atë që ndodhi dje?
Belind Këlliçi: PD s’ka asnjë përgjegjësi, ngjarja është subjekt i hetimit nga ana e drejtësisë,. Duhet bërë hetim i thellë dhe i plotë. Kam parë Ramën të shqetësuar se e ndjen humbjen. PD e vetmja thirrje ka qenë ajo për qetësi, për proces transparent për të garantuar votën dhe për të mos shitur votën. Mos shisni të ardhmen. Për 3 ditë Shqipëria do të fitojë.



