
Një vit më parë avokati Neshat Fana kishte deklaruar se ka anëtarë në sistemin e Vettingut që vënë në diskutim integritetin e tyre profesional dhe që bën të pabesueshme vendimmarrjen e tyre.
Pas kësaj deklarate avokati Fana thotë për emisionin “Ajsberg” në MCN TV se sot një vit më vonë është vërtetuar ajo që ai ka thënë se për arsye që nuk kanë lidhje me drejtësinë janë larguar nga gjyqësori dhe nga prokuroria njerëz të denjë për drejtësinë, ashtu siç ka shumë raste që e kanë kaluar Vettingun njerëz të padenjë.
“Ky vit ka vërtetuar atë që unë kam thënë dhe pikërisht faktin që një pjesë e tyre nuk janë në gjendje të ushtrojnë sipas kërkesave të opinionit publik detyrat e tyre, pasi me vendimmarrjet e tyre janë bërë të pabesueshëm. Kemi tashmë të publikuara jo vetëm në faqet e veprimtarisë që një pjesë e anëtarëve u kontestuan nga gjyqtarë dhe prokurorë. Janë kontestuar jo thjeshtë për ushtrimin e funksionit, por edhe për shkak të papërshtatshmërisë së tyre në kohën e zgjedhjeve në raport me kriteret që ka vendosur ligji dhe kushtetuta. Jo vetëm ka, por nga debatet e herëpashershme janë evidentuar edhe qëndrime subjektive që lidhen me jetën private të anëtarëve të anëtarëve, të cilët fatkeqësisht përplasen në sallën e Vettingut dhe ka rezultuar tashmë se anëtarë të caktuar kanë tentuar të hakmerren ndaj historive personale. Për arsye të tilla që nuk kanë lidhje me drejtësinë janë larguar gjyqësori dhe nga prokuroria njerëz të denjë për drejtësinë dhe që nuk kanë pasur lidhje fare me qëllimin për të cilin u bë Vettingu. Njerëz të pa korruptuar, që nuk kanë futur dorën në xhepat e qytetarëve, që kanë zbatuar ligjin.
Ka ndodhur edhe e anasjellta, ka shumë raste që e kanë kaluar Vettingun njerëz të padenjë. Arsyet përse bëhen, mesa duket edhe lodhja dhe shtrëngimi për të gjetur gjilpërën në kashtë tek shumëkush i ka bërë disa nga anëtarët që ti lënë nervat dhe të japin vendime arbitrare dhe të dëmtojnë sistemin. Kam frikë se pas disa vendimeve mund të këtë gjëra të tjera. Mënyra e gjykimit të tyre e diskutueshme. ”, tha Fana.



