
Të hënën, India raportoi më shumë se 300 mijë raste të reja me koronavirus për të 12-tën ditë radhazi. Kështu, totali i të infektuarve po shkon në 20 milionë. Brenda ditës, vendi regjistroi po ashtu 3,417 humbje jete nga Covid-19.
Më konkretisht, në 24 orët e fundit India regjistroi 368,147 të infektuar kurse totali deri më tani është 19.93 milionë raste pozitive. Bilanci i viktimave qëndron në 218,959, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetit në vend.
Ekspertët thonë shifrat e vërteta rreth e qark vendit me 1.35 miliardë banorë mund të jenë 5 deri në 10 herë më të larta se bilanci zyrtar.
Ndërsa vendi përballet me një valë shumë më të ashpër se e para, spitalet janë mbushur plotësisht, sasitë e oksigjenit po ezaurohen kurse morgu dhe krematoriumet janë tejmbushur.
Në një intervistë për mediat Indiane, virologu i famshëm amerikan Anthony Fauci ka sugjeruar se India duhet të aplikojë një mbyllje totale të vendit për disa javë, në mënyrë që të frenojë valën shkatërrimtare që e ka kapluar.
Nga ana tjetër, qeveria e Indisë po nguron të marrë një vendim të tillë, pasi masat drastike të ndërmarra një vit më parë shkaktuan dëme të rënda në ekonominë e vendit.




