
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, erdhi në pushtet në vitin 2019, duke marrë drejtimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe korrupsioni. Ai u gjet në krye të një vendi me popullsi prej rreth 45 milionë banorësh, pa ndonjë përvojë paraprake politike.
Rishtar në politikë, ish-komediani ishte kritikuar fillimisht si kukull e oligarkut ukrainas Ihor Kolomoisky, por e fitoi mandatin e presidentit pasi siguroi më shumë se 73 për qind të votave, duke premtuar të balancojë mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus me mbrojtjen e rusishtfolësve në vendin e tij.
I lindur në qytetin industrial kryesisht rusishtfolës të Kryvyi Rih në Ukrainën qendrore, babai i dy fëmijëve shihej si figura më e mundshme për këtë detyrë. Pak pasi u bë president, ai përdori diplomacinë për të detyruar Moskën të shkëmbente disa grupe të burgosurish ukrainas të luftës.
Por vullneti i mirë i presidentit rus Vladimir Putin nuk do të zgjaste, pasi Zelenskyy nuk e ndryshoi politikën e jashtme pro-perëndimore të vendit të tij në favor të lidhjeve më të ngushta Moskën.
Vitin e kaluar, Rusia filloi të vendoste trupat e saj pranë kufijve të Ukrainës me pretekstin e mbajtjes së stërvitjeve ushtarake.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara për planin rus për të pushtuar Ukrainën, Zelenskyy u përpoq të ruante qetësinë në vend, duke u bërë thirrje ukrainasve që të shmangin panikun.
Megjithatë, ai lëvizi nëpër kryeqytetet e Evropës, duke u përpjekur të sigurojë mbështetje diplomatike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën, në mënyrë që të bënte të pamundur një pushtim të mundshëm.
Të enjten, më 24 shkurt, Zelenskyy u bë presidenti më vulnerabël i Evropës, pasi Rusia nisi një sulm të koordiruar ushtarak nga toka, ajri dhe deti.
Ndryshimi i regjimit
Fabrice Pothier, oficer kryesor i strategjisë në konsulencën politike Rasmussen Global dhe ish-drejtor i planifikimit të politikave në NATO, thotë se qëllimi i Putinit është "kapitullimi politik" - "një ndryshim regjimi" në Ukrainë.
“Është shumë e qartë se ai dëshiron një ndryshim regjimi dhe regjimi duhet të jetë – sipas tij – dashamirës ndaj interesit të Rusisë, duke hedhur poshtë rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE, duke pretenduar një lloj neutraliteti ose një pozicion të Finlandës,” tha ai, duke iu referuar vendimit historik të Finlandës për t'u lidhur me Evropën, por për të shmangur armiqësinë ndaj Rusisë duke mos u anëtarësuar në NATO.
Zelenskyy e identifikoi veten si "objektivi numër një" i Rusisë, por ai dhe familja e tij mbetën në Ukrainë.
“Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke rrëzuar kreun e shtetit”, tha presidenti.
44-vjeçari kritikoi gjithashtu aleatët e Ukrainës që nuk i vinin në mbrojtje fizikisht vendit të tij, duke u kufizuar me mbështetje verbale, financiare dhe diplomatike.
"Ne kemi mbetur vetëm, për të mbrojtur shtetin tonë," tha ai në një fjalim me video drejtuar kombit pas mesnate. “Kush është gati të luftojë përkrah nesh? Nuk shoh njeri. Kush është gati t'i japë Ukrainës një garanci për anëtarësimin në NATO? Të gjithë kanë frikë.”
Përdoruesit e mediave sociale e kanë njohur dobësinë e tij, duke e quajtur atë "një njeri të vetmuar, por të nderuar".



