Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë Parkun Kombëtar të Prespës, në zonën e Pustecit. Flakët janë përhapur me shpejtësi gjatë minutave të fundit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në terren ndodhen zjarrfikësit e Bashkisë Pustec, forca nga shërbimet publike, administrata e zonave të mbrojtura (AdZM) si dhe policia kufitare.
Më shumë se 50 forca po punojnë për të ndërhyrë në izolimin e vatrës, por përhapja e zjarrit dhe terreni i vështirë e bëjnë situatën kritike.
Autoritetet janë në gatishmëri të plotë, ndërsa pritet mbështetje shtesë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zonat e mbrojtura të parkut.



