
Koreja e Jugut ka urdhëruar që civilët në ishujt Yeonpyeong dhe Baengnyeong të evakuohen pasi Koreja e Veriut qëlloi rreth 200 predha artilerie në brigjet e saj perëndimore.
Një lajm i tillë u komunikua mëngjesin e së premtes nga Ministria e Mbrojtjes e Seulit.
“Ushtria e Koresë së Veriut kreu më shumë se 200 sulme sot midis orës 09.00 dhe 11.00 të mëngjesit në zonat Jangsan-got të ishullit verior Baengnyeong dhe ishullit verior të Yeonpyeong”, tha kolonel Lee Sung -Jun, një zyrtar i Koresë së Jugut në një konferencë për mediat.
Autoritetet lokale në Yeonpyeong specifikuan se civilët u urdhëruan të evakuoheshin si një “masë parandaluese”.
Ishulli i Koresë së Jugut ndodhet në Detin e Verdhë, rreth 80 km në perëndim të Incheon dhe 12 km në jug të bregut të provincës Hwanghae të Koresë së Veriut.
Në vitin 2010, Pheniani gjuajti 170 predha artilerie në Yeonpyeong, duke vrarë katër persona, mes tyre dy civilë, në sulmin e parë të Koresë së Veriut kundër civilëve që nga Lufta Koreane (1950-1953).



