
Florian Haçkaj nga lëvizja Diaspora për Shqipërinë e lirë tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se përgjegjësia madhore për faktin që ende s’është mundësuar vota e emigrantëve bie mbi qeverinë, por përgjegjësi ka po ashtu edhe opozita.
Haçkaj tha se pas fitores në Gjykatën Kushtetuese s’është lëvizur asnjë hap, duke vënë në dukje se pas janarit të 2024-ës, zgjedhjet pa diasporën do të konsiderohen të jashtëligjshme.
Ai shprehet i bindur se do vota e emigrantëve do të bëhet e mundur për zgjedhjet parlamentare të 2025. Po ashtu Haçkaj s’e përjashton që mund të ketë një marrëveshje të heshtur mes palëve kundër votës së emigrantëve.
Nuk ka ndodhur asnjë gjë që prej fitores sonë në Gjykatën Kushtetuese, ku paditëm shtetin shqiptar. Kishte 12 muaj kohë, ka ende kohë qeveria për të plotësuar kuadrin ligjor, por deri më sot s’kanë lëvizur asnjë hap. Pas janarit të 2024-ës, çdo palë zgjedhje pa votën e diasporës janë të jashtëligjshme. Nuk e di si e marrin këta deputetë që duhet të përfaqësojnë popullin, me kaq lehtësi këtë çështje. Përgjegjësia madhore bie mbi qeverinë, sepse ka 10 vite në pushtet, e ka premtuar prej fillimit, ka pasur një ministri Diaspore dhe s’ka bërë asgjë, pasi e ka shumicën në Kuvend. Por bie edhe te opozita pa diskutim. Ne si lëvizje kemi ndërmarrë hapat për t’i shtyrë politikanët ta çojnë para. Ata që janë bashkëdrejtuesit e reformës zgjedhore janë Gjiknuri dhe Alibeaj. Teksa të gjithë na janë përgjigjur, përfshi znj. Nikolla, Mediu, Bylykbashi etj, këta dy zotërinjtë s’kanë denjuar as të na japin përgjigje, që tregon interesin e tyre të ulët të tyren për çështjen.
Ne e kemi të drejtë kushtetuese, por edhe detyrim kushtetues. Sepse nëse gjysma e popullsisë nuk voton, ato zgjedhje s’janë demokratike. Ne kemi thuajse 50 për qind e popullsisë që jeton jashtë, dhe është fort e lidhur me vendin. Nuk po flasim për arbëreshët, arvanitasit, arnautët. Remitancat janë një nga shtyllat kryesore që mbajnë në këmbë ekonominë. Shumë nga qytetarët që jetojnë jashtë se kanë shtetësinë e një vendi tjetër dhe u privohet e drejta për të votuar”.
Pyetjes, a mendoni se do bëhet realitet në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, ai i përgjigjet:
Unë jam i bindur për këtë. Por bindjen time s’e kamë vetëm në formë shprese, por në një strategji pune që ne si lëvizje po e çojmë përpara. Sot që flasim ka edhe 267 ditë për Kuvendin që të plotësojë kuadrin ligjor, përndryshe kalon në antikushtetueshmëri, që besoj askush s’do ia lejonte vetes. Ne po draftojmë në mënyrë konkrete, draftin ligjor, për të mos shkuar në tryezë për diskutime boshe. Duam të shkojmë me një draft konkret për të cilin të diskutohet. Po e lamë sikur po bëjmë punë, kjo s’do realizohet asnjëherë. Nuk do shpikim votën, do shohim praktikën e vendeve të tjera, dhe vëllezërit tanë në Kosovë. Më e thjeshta është ajo me postë, që dërgohet në KQZ. Ajo votë të vijë direkt në KQZ, të monitorohet nën vëzhgim”.
I pyetur a duhet të votojnë emigrantët edhe për zgjedhjet vendore, Haçkaj shton:
Vendet e tjera e kanë votën e diasporës më tepër për zgjedhjet qendrore. Po është e vërtetë që për zgjedhjet lokale nuk po e tentojmë. Por ke edhe shtete të mëdha që e kanë, SHBA dhe Kanada. Kështu që është temë që ha diskutim”.
I pyetur nëse është politika në tërësi që ka dështuar, apo ka konsensus të heshtur mes palëve pasi i druhen votës së emigrantëve, ai thotë:
Është një përzierje e të dyjave. Përgjegjësia kryesore bie mbi qeveritë që ka qenë, por kryesisht mbi këtë qeveri që ka pasur këtë strategji të diasporës. Por mund të ketë edhe një konsensus të fshehtë. Por ne do ta marrim dhe pikë, sepse është e drejtë kushtetuese. Do luajmë çdo gur, me trysni kombëtare, ndërkombëtare, protesta, për ta bërë të mundur këtë gjë”.



