Lideri i opozitës Lulzim Basha e ka quajtur fitoren e parë të opozitës tërheqjen e Edi Ramës nga zgjedhjet në Kavajë, të cilat Partia Demokratike i kishte bojkotuar.
Kryeopozitari mbajti një fjalë në çadrën e lirisë, siç është pagëzuar vendi përballë kryeministrisë ku ata po protestojnë prej rreth tre muajsh.
“Republika e re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falënderimi i parë është për qytetarët fisnikë të Kavajës që firmosën tërheqjen e Ramës nga plani ogurzi për të rikthyer monizmin në vendin që përmbysi diktaturën komuniste. Rama e njohu refuzimin tuaj masiv për të qenë pjesë e fasadës. Ky është kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë, dhe lirinë e shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Në fjalën e tij para protestuesve në çadër Basha theksoi se "Dua të falënderojë nga zemra ata qindra mijëra demokratë luftëtarë të lirisë. Të cilët me qëndresën e tyre u bënë një barrierë e pakapërcyeshme për planet ogurzeza të mafies dhe krimit".



