
Një prokuror në Brazil ka gjobitur futbollistin Neymar me 3.3 milionë dollarë për ndërtimin e një liqeni artificial në vilën e tij në periferi të Rio de Zhaneiros pa licencën e nevojshme mjedisore. Këshilli bashkiak i Mangaratiba, një zonë turistike rreth 130 kilometra larg Rios ku ylli i Paris Saint-Germain ka vilën e tij, ka lëshuar katër gjoba për dhjetëra shkelje të zbuluara, duke përfshirë “ekzekutimin e punimeve që i nënshtrohen kontrollit mjedisor pa autorizim”, devijimi dhe përdorimi i ujërave të lumenjve dhe “heqja e tokës dhe prerja e bimësisë pa autorizim”. Neymar ka 20 ditë për të apeluar gjobën. Përveç liqenit, në pronë është në ndërtim e sipër edhe një plazh. Autoritetet bllokuan punimet dhe urdhëruan ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve, por mediat braziliane raportuan se Neymar gjithsesi organizoi një festë dhe lahej në liqen. Neymar, 31 vjeç, aktualisht po rikuperohet nga operacioni në kyçin e këmbës së djathtë, të cilit iu nënshtrua në Doha në muajin mars. Sulmuesi nuk ka luajtur që nga shkurti dhe dyshimet janë ngritur për qëndrimin e tij në PSG. Neymar bleu vilën në Mangaratiba në vitin 2016, një pronë prej 10.000 metrash katrorë me një helipad, spa dhe palestër.



