
Tre kozmonautë rusë mbërritën të premten në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të veshur me kostume fluturimi verdh e blu, duke ngjallur aludime nëse kjo ka qenë një formë kritike ndaj qeverisë dhe solidaritet me Ukrainën. Të tjerë i kanë shpjeguar ngjyrat e veshjes si nderim për Universitetin Teknik Shtetëror të Moskës Bauman, ku ata kanë studiuar.
Agjencia hapësinore ruse, “Roscosmos” postoi fotografi në Telegram ku shprehet: “Disa frikacakë banditë dhe sponsorët e tyre anglo-saksone nuk dinë se çfarë të gjejnë tjetër si informacion në luftë kundër Rusisë”.
Në postim theksohet se ekuipazhi nuk po përfaqësonte Ukrainën, por kishte veshur ngjyra nga ‘alma mater’: Universiteti Teknik Shtetëror i Moskës Bauman.
"Ndonjëherë ngjyra e verdhë është thjesht ngjyrë e verdhë. Kostumet e fluturimit të ekuipazhit ishin krijuar që të përputheshin me ngjyrat e emblemës së Universitetit Teknik Shtetëror të Moskës Bauman, nga ku u diplomuan të tre kozmonautët. Dizajni i uniformave ishte koordinuar shumë kohë më parë. Të shohësh flamurin ukrainas kudo dhe në çdo gjë është thjesht një propagandë", shkroi një zyrtar tjetër i “Roscosmos” në kanalin e tij Telegram.



