Tirana është bashkia më e madhe në Shqipëri. Shpenzimet e saj çdo vit kapin vlerën e 250 milion eurove. Këto para duhet të shkojnë për shërbimet dhe nevojat e komunitetit të kryeqytetit, i cili deri më sot ka arritur numrin e 920 mijë banorëve. 1 e treta e popullsisë së vendit jeton në Tiranë. Sot Bashkia e Tiranës mbledh buxhetin më të madh të taksave dhe tarifave vendore dhe merr gjithashtu edhe fondet më të mëdha që ndan buxheti i shtetit për komunitetin vendor.
110 milionë euro të buxhetit të Bashkisë Tiranë shkojnë për investime publike: shkolla, kopshte, rrugë dhe gjelbërimin e qytetit. Pastrimi, gjelbërimi, çerdhet, kopshtet dhe qendrat komunitare kushtojnë 28 milion euro në vit. Transporti rrugor dhe urbanistika renditen të dytat në zërine e investime dhe pas tyre shpenzimet më të mëdha i merr fondi i strehimit social. Për menaxhimin e mbetjeve, bashkia nuk paguan nga buxheti i saj asnjë lek. Grumbullimi i tyre bëhet nga kompania me kapital të përbashkët të saj dhe një firme private, Eco Albania, ndërsa paratë për depozitimin e tyre në landfillin e Sharrës jepen të gjitha nga qeveria qendrore.
“Në Bashkinë e Tiranës janë shkallmuar standardet e qeverisjes. Aty ka ndodhur nacionalizimi, ish-shërbimet e tenderuara te privatët për pastrimin tani zbatohen nga ndërmarrja e bashkisë, ku po përdoren qindra të punësuar për t'u bërë aktivista”, thotë ish-zëvendës ministri i Financave, Sherefedin Shehu.
Por nëse shpenzimet për investime publike janë 110 milionë euro, sa gjysma e tyre janë pagesat për administratën e bashkisë. Rrogat për 6700 punonjësit e administratës së bashkisë kushtojnë çdo vit 65 milionë euro. Afërisht 1700 punonjës janë të punësuar pranë aparatit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa strukturat me numrin më të lartë të të punësuarve janë drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve me 900 punonjës, të ndjekur nga Policia Bashkiake me 600 veta dhe 550 nga punonjësit e pastrimit dhe gjelbërimit.
“Të gjitha këto janë institucione parazitare, krijohen vende pune për të blerë vota dhe jo për të kryer një shërbim publik. Rasti i Policisë Bashkiake është rast i tillë. Në çdo rrugë ka prani të tyre, kur është krejtësisht e panevojshme.” shprehet redaktori i BIRN, Gjergj Erebara.
Shpenzimet vjetore të bashkisë së Tiranë për udhëtime dhe dieta jashtë vendit kushtojnë mesatarisht 150 mijë euro çdo vit. Nga viti 2015 dhe deri në fund të vitit të shkuar udhëtimet jashtë Shqipërisë kanë kushtuar 1.5 milion euro. Gjysëm milioni euro kanë kushtuar gjatë 3 viteve të fundit edhe drekat e darkat për të ftuarit e bashkisë.
Aparati i bashkisë përdor fonde të shumta për blerjen e apareteve fotografikë, kompjeturave, sistemeve elektronike të rekrutimit, aplikimeve për çerdhe, çekimit të kartave të punonjësve, sistemit të taksave dhe gjobave. Për këto pajisje dhe sisteme paguhen 2.5 milion euro në vit. Një pjesë e buxhetit të Bashkisë së Tiranës shkon për projekte dhe evente kulturore. Vitin e fundit, fondi për aktivitete të tilla është rritur në mënyrë eksponenciale duke arritur vlerën 10 milion euro, më shumë se investimet për zhvillimin ekonomik, mbrojtjen nga zjarri dhe shërbimet policore të mbledhura bashkë.
“Shohim në Tiranë koncerte të rëndësishme, koncerte me kosto shumë të madhe dhe nuk gjejmë dot pagesat. Çfarë ka ndodhur, kush ka paguar për këto? Gjejmë institucione të caktuara të pushtetit vendor që prezantohen si kontribues për realizimin e këtyre koncertave, por në finale nuk shohim se si janë bërë këto pagesa”, thotë Arantia Brahaj, drejtore e Open Data Albania.
Bashkia mbledh çdo vit 100 milionë euro nga taksat, tarifat dhe gjobat, ndërsa 38 milion euro janë para që transferohen nga buxheti i shtetit në formën e transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor.



