Vladimir Putin siguroi se Irani, aleati i Rusisë në Lindjen e Mesme, nuk ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Moska, deklaratw e cila vjen pothuajse një javë pas shpërthimit të konfliktit me Izraelin.
“Miqtë tanë iranianë nuk na kanë kërkuar ndihmë ushtarake”, u përgjigj Presidenti rus kur u pyet për këtë nga mediat franceze, gjatë një interviste që dha për gazetarët e huaj në Shën Petersburg të mërkurën.
Putin vlerësoi gjithashtu se një zgjidhje që do të ishte e pranueshme si për Izraelin ashtu edhe për Iranin mund të gjendet, ndërsa argumentoi se bombardimet shërbejnë vetëm për të forcuar mbështetjen e popullsisë iraniane për udhëheqjen e vendit.
Është një çështje delikate, sigurisht që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por sipas mendimit tim, një zgjidhje mund të gjendet. Për momentin po shohim se në Iran ka një bashkim të shoqërisë rreth udhëheqjes politike të vendit.
Historikisht, Rusia ka patur marrëdhënie të mira me Izraelin, ku jeton një komunitet i madh rusishtfolës.
Por lufta në Ukrainë që filloi në vitin 2022 dhe lufta në Rripin e Gazës, e cila kritikohet nga Moska, i dhanë një goditje marrëdhënieve të tyre.
Nga ana tjetër, marrëdhënia e Rusisë e margjinalizuar nga Perëndimi, me Republikën Islamike iraniane është forcuar vitet e fundit.



