Identifikimi biometrik për zgjedhjet e 25 prillit do të kushtojë 2.1 miliardë lekë. Në kuadër të këtij projekti, 5 mijë qendra votimi do të pajisen me lexues të kartave të identitetit, përmes të cilëve, një votues do të regjistrohet me të gjitha të dhënat e tij biometrike.
Duke qenë një sistem offline, kjo bën që verifikimi i votimit të dyfishtë të mos bëhet direkt, por vetëm pas përfundimit të procesit, falë kryqëzimit të të dhënave do të identifikohen personat që mund të kenë votuar më shumë se një herë.
Thirrjes së KQZ i janë përgjigjur vetëm 6 kompani, ndërsa 17 të tjera e kanë refuzuar përshirjen, mes tyre edhe kompania INDRA e cila fitoi tenderin për projektin pilot të numërimit dhe identifikimit elektronik në vitin 2013, i cili dështoi. INDRA e ka motivuar mospërfshirjen në projekt me kohën e pamjaftueshme për t’u realizuar.
Gjashtë kompanitë që i janë përgjigjur kërkesës së KQZ kanë ofruar një kosto maksimale 28 milionë dollarë (një kompani e huaj) dhe një minimum prej 14 milionë dollarë nga një kompani shqiptare.
Për implementimin e projektit të ri nevojitet akses në bazën e të dhënave biometrike që administrohen nga kompania "Aleat", e cila bën prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë.



