
Zjarri që shpërtheu në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, i cili mëngjesin e djeshëm mori përmasa të mëdha, ka vazhduar gjatë natës, por me intensitet më të ulët.
Në Parkun Natyror të Syrit të Kaltër, momentalisht nuk ka asnjë vatër zjarri pasi flakët u shuan gjatë orëve të para të mëngjesit.
Përgjatë dy kahëve të rrugës Sarandë-Muzinë ka pasur zjarr gjatë natës, ku është shkatërruar e gjithë bimësia.
Një riaktivizim i zjarrit ka ndodhur në fshatin Peça, pranë stallës, një vend ky që përbën një nyje shumë kritike dhe të rrezikshme për përhapjen e flakëve.
Në frontin e Krongjit ka një vatër zjarri, por më pak të rrezikshme se një ditë më parë. Megjithatë, rreziku mund të rritet gjatë orëve të drekës nëse zjarri aktivizohet.
Zjarri ka marrë gjithashtu drejtim nga fshati Kardhikaq.
Në të gjithë zonën ka dëme të shumta në bujqësi, si dhe në kullota.
Rreziku i mundshëm i përhapjes së zjarrit drejt Bashkisë Dropull është aktual, ndaj janë në gatishmëri dhe monitorim punonjës të kësaj bashkie.
Në terren ndodhen 30 punonjës të Forcave të Armatosura, dy zjarrfikës dhe një avion që po vepron nga ajri që prej mëngjesit.
Ndërkohë, zjarri që është përhapur nga fshati Koder, Lekël në Tepelenë dhe po ecuri drejt Gjirokastrës, duket të jetë nën kontroll, edhe pse ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme të maleve dhe kullotave.



