113 nga krijimi i saj, Policia e Shtetit sheh si mundësi për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Jo vetëm përdorimin e teknologjisë por edhe ndryshimin e strukturës brenda saj.
Sot, Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend, me një histori më shumë se një shekull. Por si ka evoluar ajo ndër 113 vitet e saj?
Institucioni i parë policor shqiptar daton që nga shpallja e Pavarësisë, në vitin 1912, kur qeveria e Ismail Qemalit krijoi strukturat e para të rendit publik. Vetëm pak vite më vonë, në vitin 1920, u formua Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë Botore, një organizim më i plotë i policisë në nivel kombëtar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, më 14 maj 1945, u krijua Policia Popullore, që vepronte nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Ky sistem u konsolidua më 9 dhjetor 1946, me hyrjen në fuqi të ligjit “Mbi Policinë Popullore”, i cili përcaktoi detyrat dhe strukturën e policisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste.
Pas viteve ’90, me rënien e sistemit totalitar, Policia Popullore u transformua në Policinë e Shtetit, institucion i ri në një realitet demokratik. Ky ndryshim u shoqërua me riorganizim të plotë, modernizim dhe krijimin e strukturave të reja për rendin dhe sigurinë publike.
Në vitin 2014, Kuvendi miratoi Ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i cili përcaktoi misionin, organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni në nivel qendror dhe vendor. Policia u profilizua në tre degë kryesore: Policia Kriminale, Policia e Sigurisë Publike dhe Policia e Kufirit dhe Migracionit.
Pas dhjetë vitesh, në korrik të vitit 2024, u miratua Ligji i ri nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që përcakton strukturën moderne dhe misionin e saj në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e Bashkimit Europian.
Sipas këtij ligji, Policia e Shtetit mbetet një trupë unike, e centralizuar dhe profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.
Aktualisht, në Ministrinë e Brendshme po përgatitet edhe struktura e re drejtuese, që pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2026. Kjo strukturë do të ketë gjashtë departamente kryesore – për Kriminalitetin, Kufirin e Migracionin, Rendin dhe Sigurinë Publike, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Shërbimet Mbështetëse dhe Teknologjinë e Informacionit.
Me më shumë se 113 vite histori, Policia e Shtetit vijon të përshtatet me kohën dhe sfidat e reja të sigurisë, duke ruajtur misionin e saj thelbësor – garantimin e rendit, qetësisë dhe jetës së sigurt të qytetarëve shqiptarë.



