Kryeministri Edi Rama ka nisur lëvizjet e para në funksion të zgjedhjeve lokale përmes turit “Punët për Shqipërinë”, një seri takimesh në terren që synojnë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe strukturat vendore.
Ky tur po interpretohet ndryshe nga analistë dhe të ftuar në studio, të cilët japin lexime të ndryshme mbi qëllimet reale të kësaj nisme.
E ftuar në studio, avokatja Adriana Kalaja e sheh këtë tur si një strategji për të kontrolluar narrativën politike dhe për të zhvendosur vëmendjen nga çështje të ndjeshme.
Sipas saj, “fushata ka nisur nga raportet që ka me rrjetin e patronazhistëve, me krimin e organizuar dhe me pjesën e korruptuar të administratës”, duke shtuar se kryeministri “e fillon garën e radhës në momentin që ka vjedhur dhe ka blerë aktualen”.
Kalaja argumenton se pas fitores së mëparshme elektorale, Rama ka ndërmarrë hapa për të forcuar kontrollin mbi pushtetin vendor.
“I tregoi pushtetit lokal që ju jeni zero pa mua dhe se unë marr vendime edhe për ju”.
Ajo shton gjithashtu se “turi në Shqipëri që po bëhet është për të zhvendosur vëmendjen nga skandali i Ballukut”, duke ngritur shqetësime edhe për ndikimin politik në përzgjedhjen e kandidatëve vendorë.
Nga ana tjetër, gazetarja Oliverda Allmuça e interpreton këtë lëvizje si një strategji komunikimi dhe marketingu politik.
Ajo thekson se “retorika që ka treguar kryeministri vjen për të treguar që ai do të masë pulsin që ka pas skandaleve”, ndërsa shton se kjo është një praktikë e hershme e Ramës, “fushatën e radhës e ka nisur që me përfundimin e zgjedhjeve të 11 majit”.
Sipas Allmuçës, takimet në terren janë një mënyrë efikase për të krijuar perceptim pozitiv. “Takimi i drejtpërdrejtë me qytetarët është marketing i mirë”, por ajo nënvizon se kjo qasje mund të jetë e kuruar dhe e kontrolluar në detaje.
“Kryeministri bën një montazh më përpara të takimeve dhe zgjedh orarin dhe kohën që ai do për ta transmetuar”, u shpreh ajo, duke e cilësuar këtë si “një shfaqje të përpunuar shumë mirë”.
Në thelb, debati mbetet i hapur: a është turi “Punët për Shqipërinë” një reflektim i nevojës për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, apo një përpjekje për të orientuar vëmendjen publike në prag të zgjedhjeve lokale?



