
Skandali me publikimin e pagave të qytetarëve, ka nxjerrë në një konferencë për media drejtues të Prokurorisë së Tiranës, të cilët kanë njoftuar arrestimin e katër personave të cilët besohet se kane gisht në këtë ngjarje. Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj bëri të ditur se janë arrestuar 2 persona të punësuar në institucione shtetërore e dy të tjerë në sektorin privat. Këta të fundit, kanë blerë të dhënat te punonjësit shtetërorë.
Sipas Imeraj, të arrestuarit janë punonjës të Drejtorisë së Tatimeve.
Punonjësja e AKSH-I, ia ka dhënë të gjithë informacionin kolegut të saj specialist IT, ndërsa ky i fundit i ka shitur të dhënat tek kompanitë private.
“Janë kryer veprimet hetimore në mënyrë intensive, është vijuar me sekuestrimin e serverëve, kompjuterëve, duke arritur të kolaudojmë në një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova. Kemi arritur të zbulojmë dhe evidentojmë 4 autorë, ku dy prej tyre janë punonjës në Drejtorinë e Tatimeve, si punonjës IT-jë. Specialisti i IT në Drejtorinë e Përgjithshëm i Tatimeve, duke patur aksesin në të dhënat personale, që konsistojnë në pagat e disa muajve, ka hyrë duke marrë këto aksese personale dhe i ka shpërndarë të kolegu i saj, i cili ka arritur që këto të dhëna t’ua shesë subjekteve private”, u shpreh ajo.
Prokurorja Imeraj tha se kanë qenë subjekte private që i kanë blerë këto të dhëna nga punonjës të Tatimeve dhe AKSHI-t, duke treguar më tej se bëhet fjalë për persona që punojnë në fushën e përmbarimit, të cilët i kanë përdorur për qëllime të punës apo qëllime të tjera.
“Grupi hetimor të cilin gjej rastin ta falënderoj për hetimet intensive, ka qenë i devotshëm në kryerjen e hetimeve për të gjitha pistat e hetimit, përfshirë dhe qëllimin e nxjerrjes së të dhënave. Nga ana jonë është arritur të zbulohet mekanizmi i ngjarjes se si këto të dhëna nga punonjës që kanë aksesin, kanë mundur t’i aksesojnë dhe t’i përdorin. Këto të dhëna janë shitur, punonjës në sektorë privatë i kanë blerë dhe i kanë përdorur për qëllime të tjera. Në momentin e dytë që ka qëllime përkatëse prokuroria është e vendosur të hetojë individin dhe për qëllimet.
Subjektet private persona që punojnë në fushën e përmbarimit, me agjenci të ndryshme që i kanë përdorur për qëllime të punës apo qëllime të tjera. Jemi në fazën e hetimit të mëtejshëm. Në momentin më të parë do të jemi shumë transparent sa lejon kodi i procedurës penale”, tha Imeraj.
Sipassaj, hetimet po vijojnë edhe në Drejtorinë e Transportit Rrugor, pasi janë publikuar dhe të dhënat e targave të shtetasve shqiptarë.



