
Adea Pirdeni është propozuar nga kryeministri Edi Rama si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Përmes një postimi në rrjetin social X se, Rama njofton se i ka propozuar Presidentit të Republikës krijimin e një ministrie të re të qeverisë, e cila do të mbikëqyrë çështjet për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Kreu i qeverisë shkruan se “në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike”.
Kjo, sipas tij “për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë”.
Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen.
Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Evropian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.
Prej Shtatorit 2020, Adea Pirdeni shërben si Zëvendësministre e Drejtësisë e Shqipërisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit evropian si pjesë e Grupit Negociator për Njeriut”, antikorrupsionit dhe kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë.



