Sakollari: Nga paqja fiskale përfiton shteti dhe entitetet ekonomike. Sulejmani: Një amnisti fiskale në 15 vjet, nuk është fundi i botës

Sakollari: Nga paqja fiskale përfiton shteti dhe entitetet ekonomike. Sulejmani: Një amnisti fiskale në 15 vjet, nuk është fundi i botës

Paketa e re e paqes fiskale po shoqërohet me debate të forta mes ekspertëve të ekonomisë dhe kontabilitetit, të cilët ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e saj në formalizimin e ekonomisë, ndikimin tek morali tatimor dhe rrezikun e përdorimit të saj për legalizimin e parave me origjinë të dyshimtë.

 

Pedagogia dhe ekspertja e ekonomisë, Valbona Sakollari, tha se mungesa e interesit të biznesit për këtë instrument ishte e pritshme, pasi vetë mënyra se si është konceptuar nuk krijon nxitje reale për subjektet që operojnë rregullisht.

 

Mungesa e interesit lidhur me këtë instrument duhet parë që në nisje. Duhej parë se kush kishte interes për të. Ata që kanë një aktivitet të rregullt ekonomik dhe që paguajnë detyrimet e tyre nuk kanë dëshirë të paguajnë një tatim shtesë, kur çmimet janë rritur. Nuk kanë interes të paguajnë 3% më tepër se sa u takon.

 

Sipas saj, edhe pse është reduktuar kufiri i deklarimit në 2 milionë euro, kufizimi prej 30% vijon të mbetet një element që mund të ndikojë negativisht tek bizneset.

 

Pragu i 30% ka gjithashtu rëndësi, sepse nëse bizneset e tejkalojnë atë mund të paguajnë më tepër. Ndërhyrja në pasqyrat financiare nuk është kaq e lehtë, pasi lidhet me huatë apo borxhet që ortakët kanë dhënë ndaj bizneseve dhe kjo hua mund të përdoret lirisht.

 

Ekspertja ngriti gjithashtu shqetësimin se dispozitat që lidhen me llogarinë e ortakut bien ndesh me objektivin e deklaruar të ligjit për të shmangur hyrjen e parave të pajustifikuara në sistem.

 

Nëse ligji specifikon se qëllimi është të rrisë interesin vullnetar të bizneseve për të paguar tatimet dhe se do të ketë kujdes me paratë jo të pastra, atëherë ky nen e rrëzon këtë qëllim. Llogaria e ortakut është para cash dhe mendoj se është përdorur për të rritur interesin ndaj këtij procesi.

 

Ajo theksoi se qëllimi zyrtar i paketës është formalizimi i ekonomisë dhe rritja e të ardhurave buxhetore.

 

Nisur nga diskutimet institucionale dhe deklarimet e drejtuesve të administratës tatimore, qëllimi i ligjit është të formalizojë biznesin. Pra, duke qenë jashtë sistemit, futesh në të dhe bëhesh formal. Nga ky ligj përfitojnë dy aktorë: shteti dhe entiteti ekonomik. Shteti përfiton rritjen e të ardhurave buxhetore nga tatimfitimi.

 

Megjithatë, Sakollari vlerëson se pjesa më tërheqëse e paketës për biznesin mbetet falja e detyrimeve dhe gjobave të prapambetura.

 

Ka një interes të lartë sepse rreth 200 mijë biznese përfitojnë nga kjo masë. Detyrimet e mbartura deri në vitin 2014 shuhen tërësisht, ndërsa për periudhën deri në vitin 2024 falen gjobat. Kjo krijon një problem besimi, sepse një biznes që ka qenë korrekt dhe ka respektuar rregullat përballet me faktin që një tjetër që nuk ka paguar detyrimet përfiton falje. Kjo nuk është shumë e mirëpritur.

 

Nga ana tjetër, eksperti kontabël Altin Sulejmani u shpreh se ideja fillestare e paqes fiskale synonte legalizimin e kapitaleve, por kufizimet e vendosura e kanë bërë atë pak efektive.

 

Është e drejtë që qëllimi fillestar ishte tentativa për të legalizuar kapitalet. Por, si pasojë e presioneve shumë të forta, paqja fiskale përfundoi si një ‘pushkë prej druri’. Ka dy kufizime të rëndësishme që e bëjnë pothuajse të pamundur realizimin e objektivave të saj.

 

Sipas tij, tavani prej 30% mbi vlerat ekzistuese në bilanc kufizon ndjeshëm mundësinë e deklarimit të kapitaleve.

 

Postet e bilancit mund të preken të gjitha, por kanë një kufi prej 30%. Nëse kemi një gjendje arke prej 100 mijë eurosh, maksimumi që mund të deklarohet është 30% më shumë mbi këtë shumë. Kështu që nuk është një instrument plotësisht funksional.

 

Eksperti paralajmëroi se pika më problematike e draftit mbetet llogaria e ortakut, e cila sipas tij mund të shërbejë për legalizimin e të ardhurave të padeklaruara.

 

Në një prej pikave më të dobëta të paqes fiskale fshihet zëri ‘llogaria e ortakut’. Ne e dimë që aty mund të jenë reflektuar të ardhura të padeklaruara, pra para që nuk duhet të ishin aty. Për mua, qëllimi është legalizimi i parasë së papastër.

 

Ai shtoi se rreziku nuk lidhet vetëm me evazionin fiskal, por edhe me cenimin e moralit tatimor.

 

Rreziku është morali tatimor dhe fiskal. Nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitet të padeklaruar, por mund të ketë edhe burime të tjera të paligjshme të ardhurash. Kjo është arsyeja pse kjo pjesë ka ngjallur kaq shumë debat.

 

Megjithatë, Sulejmani mbrojti idenë se amnistitë fiskale nuk janë të pazakonta për ekonomitë në zhvillim.

 

Pavarësisht se është anatemuаr kaq shumë, një herë në 15 vjet një shtet si Shqipëria, që është ende në zhvillim, mund të ndërmarrë një amnisti fiskale. Kjo nuk do të ishte fundi i botës.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy