Kreu i PD-së Sali Berisha është përplasur sot në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se e futi Hashim Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve.
Duke iu drejtuar Ramës, Berisha tha se ai shiste ikona të vjedhura në Paris, ndërkohë që Adem Jashari luftonte në Prekaz. Ndërkaq Rama akuzoi Berishën se ka furnizuar me naftë Sllobodan Millosheviçit. Në një moment Berisha ka shkuar drejt Ramës dhe garda ka rrethuar kryeministrin.
Rama:
Historia ka treguar që ju e furnizuat Sllobodan Millosheviçin. Historia të del përpara, të thotë je i padëshirueshëm. I çoi naftë Millos atje dhe shpalli Thaçin organizatë terroriste, kthehu Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia edhe të thotë, por prit se ti je i fortë o bajraktar, por historia është më e fortë se ty. Asnjë fjalë për Dick Marty-n, asnjë fjalë për trafikun e organeve, asnjë fjalë për Thaçin.
Berisha:
O burracak, o i pafytyrë! Dua të theksoj se kur djemtë e Kosovës flijonin jetën, kur Adem Jashari shndërroi Prekazin në Krujë, parafolësi i shndërruar në pacient të pamjekuar shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte emigrantë në Paris. Këtë e ka thënë Fatos Nano. Sa i përket arrestimit te Thaçit. Në procesin e arrestimit të Thaçit qëndron trinomi Kremlin-Beograd-Tiranë. Ky e futi Thaçi në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Ky i sugjeroi të shtrëngonte duart me Putinin. Ky bashkë me Ymerët dhe Klosët e tij, janë burime shpifjesh të pafundme. Në çdo samit është i damkosur si argat i Vuçiçit. Ky është një aspekt, tjetri është 7 korriku. Kurrë s’e keni parë të shpërfytyruar siç doli kësaj here.



