Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore, me intensitet nga i ulët në mesatar.
Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.
Aktualisht, në Qafë Thanë po punohet me disa mjete borëpastruese për kriposjen e rrugëve, ndërsa e njëjta situatë po zhvillohet edhe në zonat e tjera të Korçës.
Deri më tani nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve, pavarësisht se reshjet e dëborës vijojnë.
Qarkullimi në akset Ersekë-Leskovik dhe Ersekë-Korçë vijon normal, borëpastrueset janë në terren.
Në vendin e quajtur Gropat e Gëlqeres rreth 5 km nga Erseka, aksi Ersekë–Leskovik ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës, është vendosur sinjalistika dhe ka shërbim policie.
Shërbimet e Rendit po këshillojnë drejtuesit e mjeteve për lëvizje me kujdes.
Lumi Devoll ka dalë nga shtrati në disa pika të argjinaturës në Sheqeras. Në Dunavec niveli është në maksimum, por nuk ka dalje nga shtrati.
Në aksin Maliq-Lozhan (Senisht) pati bllokim gjatë natës, u pastrua, por ka batisje dhe rrezik për trupin e rrugës.
Në Mesmal ka rrëshqitje dherash me bllokim të rrugës, në Lozhan i Lartë ka rënie gurësh.
Ka aktivizim të rrëshqitjes në Kakaç.
Rezervuarët ndodhen nën monitorim, pasi është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot pasi arriti kuotën maksimale.
Rruga për në Denas mbetet problematike nga situata e mëparshme, por niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në bashkinë Devoll situata më e rënduar paraqitet në njësinë Proger, në fshatrat Proger, Maqurisht, Cangonj, Shyec, për shkak të rritjes së prurjeve.
Në bashkinë Pogradec, Njësia Administrative Dardhas, rruga për në fshat është e pakalueshme. Ka mungesë e energjisë elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë dhe rrëshqitje rruge në Grunjaz.
Probleme ka në lumin Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit ku qarkullimi është kufizuar në një kalim.
Ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës-Qafë Plloçë dhe në fshatra të njësisë Proptisht; po merren masa për hapjen e tyre.
Në akset Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik kanë filluar reshje bore; po punohet për pastrim dhe kriposje.
Në Maliq-Kufi Gramsh ka reshje shiu me rënie gurësh e inertesh; po kryhet pastrim.
Aksi Korçë-Voskopojë është pastruar dhe kriposur dhe qarkullimi normal.
Në aksin Boboshticë-Dardhë ka reshje bore dhe në terren ndodhen mjetet në punë për pastrim dhe kriposje.
Në afërsi të zonës se quajtur Guri i Kuq në qytetin e Pogradecit për shkak të vërshimeve të cilat përroit të Saselishtës uji ka nxjerrë në rrugën kryesore aluvione për shkak të gërryerjeve duke bllokuar njëkohësisht edhe njëren prej tubove shkarkuese në liqen.
Aktualisht njëra prej korsive të mjeteve në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thane është e bllokuar si pasoje e inerteve dhe ujit që ka dalë në rruge. Në vendngjarje ndodhen dy ekskavatorë të cilët po bëjnë të mundur normalizimin e situatës.



