Nëntë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet për kontrabandë hidrokarburesh dhe pastrim parash, në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar të furnizimit me karburant nga Shqipëria drejt Prishtinës.
Në një lidhje me emisionin “MCN Live”, gazetari Arsen Rusta bëri me dije se skema dyshohet se ka qenë aktive nga viti 2021 deri pak javë më parë. Sipas tij, janë ekzekutuar 11 masa sigurie ndaj biznesmenëve kosovarë, 9 prej të cilëve janë vendosur në paraburgim, ndërsa dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Nëntë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet për përfshirje në aferën e kontrabandës së hidrokarbureve të një kompanie me pronarë kosovarë, por me seli edhe në qytetin e Durrësit, “Standard Petrol” SHPK në Durrës. Janë ekzekutuar 11 masa sigurie për biznesmenë kosovarë. Mes tyre, nëntë janë vendosur në paraburgim, ndërsa dy janë lënë nën hetim në gjendje të lirë.
Nysret Baraktari, Skënder Kelmendi, Gazmend Çuni, Naser Morina, Faruk Mazreku, Dashnim Myftari, Korab Visoka, Feriz Mazreku, Fatmir Visoka, Muhamed Mazreku dhe Adem Urina dyshohet se janë përfshirë në një skemë të modifikimit të autobotëve të transportit të hidrokarbureve nga Durrësi drejt Prishtinës, duke i mbushur ato pjesërisht me naftë dhe pjesërisht me ujë, si dhe duke kryer faturime fiktive për rimbursime të taksave dhe detyrimeve fiskale doganore.
Është kërkuar ndihmë juridike nga Prokuroria e Kosovës për të verifikuar veprimet e autoriteteve doganore shqiptare nga viti 2021 deri pak javë më parë. Në vitin 2026, kur është dokumentuar kjo veprimtari e paligjshme, çështja i është drejtuar Prokurorisë së Kosovës dhe Gjykatës në Prishtinë për caktimin e masave të sigurisë.
Hetuesit kërkojnë të verifikojnë nëse autobotët janë kontrolluar fizikisht, nëse faturat janë kontrolluar në sistemet fiskale e tatimore shqiptare dhe nëse ka pasur një kontroll real ndaj këtyre kompanive, të cilat për më shumë se pesë vite dyshohet se kanë krijuar një skemë evazioni dhe pastrimi parash.



