GJKKO ka përcaktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Fatjon Kalluçin, përgjegjës në Policinë Shkencore, dhe Embro Sulejmanin, të njohur si përfaqësues i një agroturizmi.
Sipas raportimit të gazetarit Arsen Rusta për MCN Live, seanca e vlerësimit të masave të sigurisë ka zgjatur disa orë, ku dy të arrestuarit e parë kanë mbajtur qëndrime të rezervuara përballë akuzave të SPAK.
Mbrojtja e të arrestuarve ka pretenduar pafajësi, por Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova që sipas saj vërtetojnë bashkëpunimin e tyre me Ergys Agasin.
Në deklarimet e tyre ata kanë qenë të rezervuar, ndërsa avokatët e tyre kanë deklaruar se Sulejmani nuk ka shkelur asnjë ligj, thjesht i ka shërbyer me ushqime dikujt që s'kishte dijeni se ishte në kërkim, ndërsa SPAK deklaron që jo vetëm e dinte, por ishte bashkëpunëtor i tij. Nga ana tjetër Kalluçi ka mbyllur gojën duke mos pranuar asnjë nga akuzat, ndërsa SPAK thotë se jo vetëm ekspertizat e bëra në policinë shkencore por çdo informacion që lidhej me analizat dhe informacionet që SPAK kërkonte nga policia shkencore, ai ia informonte biznesmenin në arrati Ergys Agasin.
Pas përfundimit të masave për dy zyrtarët, radha i ka kaluar ish-shefes së inteligjencës, Vlora Hysenit,e cila pas pak minutash pritet të njihet me masën e sigurisë pas zbulimit të mesazheve në telefonin e biznesmenit në arrati, Ergys Agasi. Ajo tashmë është shkarkuar nga detyra dhe i është hequr aksesi në informacionet e klasifikuara nga Ermal Jaupi.
Pas pak minutash pritet nën shoqërimin e efektivëve të policisë këtu të mbërrijë dhe ish-drejtuesja e SHISH Vlora Hyseni, e pezulluar nga detyra me vendim të SPAK por e shkarkuar më pas. Ajo do të përballet me akuzat dhe do të njihet me masën e sigurisë dhe procedimin penal. Nga ana tjetër, jo zyrtarisht kemi mësuar se prej disa ditësh Ermal Jaupi, i ka hequr certifikatën e sigurisë në aksesin e të dhënave sekrete Vlora Hysenit.
Sipas gazetarit, zbërthimi i aplikacioneve të komunikimit në telefonin e Agasit ka qenë kyç për përfshirjen e Hysenit në këtë procedim penal, ku ndërthuren raportet intime me ato të detyrës shtetërore.
Nga mesazhet erotike te ato të dashurisë, nga mesazhet e mbështetjes te ato të sekreteve janë ato që SPAK ka mundur të rikuperojë nga telefoni i Ergys Agasit dhe më pas për të proceduar dhe Vlora Henin. Ajo është pyetur pak ditë para se Agasi të arrestohej dhe ka deklaruar se po, ka një komunikim, njohje me të në raportin e bashkëpunëtorit, ndërsa sot pritet nëse do të përgjigjet, por mbetet për t'u parë se çfarë do deklarojë nëse do flasë, sepse ajo do fikte radarët për një raport intim, duke u shprehur se do duhet të koncentrohen te hallet e tyre që kjo situatë të përmbyllet pozitivisht. Të gjithë ata që i kanë bërë keq këtij çifti të dashurish do e pësonin keq.



