“Kartagjena” u kodua një operacion i policisë shqiptare me atë të Kolumbisë, gjatë të cilit u vu në pranga një 33-vjeçar nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, nëpërmjet Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit policor “Kartagjena”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në qytetin e Kartagjenës, nga Policia kolumbiane, shtetasi A. Gj., 33 vjeç, lindur në Tropojë.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve.
Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit A. Gj., në Shqipëri.



