Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës (Religions for Peace Europe), të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare në Evropë.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria është një model i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
"Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër," u shpreh Presidenti.
Ai nënvizoi gjithashtu se shoqëria shqiptare arriti të ruajë besimin dhe tolerancën fetare edhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste.
"Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot," deklaroi Begaj.
Presidenti vlerësoi edhe rëndësinë e respektit për besimin e tjetrit si një nga shtyllat e bashkëjetesës në vend, si dhe rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare.
Në përfundim të takimit, Kreu i Shtetit theksoi se, në një kohë kur bota përballet me polarizim dhe konflikte, dialogu ndërfetar mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes.
Sipas Presidentit Begaj, Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në promovimin e modelit unik të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.



