
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, deklaroi në “MCN Economy” se deri më tani janë mbledhur mbi 10 milionë euro fond nga taksa 3 për qind për ndërtuesit, që do të përdoren vetëm për ndërtimin e banesave sociale. Ai bëri me dije se 60 për qind e ndërtuesve preferojnë të paguajnë në para, ndërsa pjesa tjetër në sipërfaqe. Mazniku i konsideroi si diskutime mediatike dhe jo profesionale ato për rrugët e shtrenjta.
Jemi përballur me ankesë nga kontraktorët, sa i takon raportit të momentin që janë kontraktuar, dhe situatës kur duhet të zbatojnë këtë kontratë ka një diferencë të madhe. Në pjesën më të madhe të bashkive puna ka vijuar. Në thelb është pjesë e detyrës së të tyre të bëjnë këtë gjë. Ne kemi mbajtur pozicionin që për sa kohë kanë marrë një kontratë publike duhet të vazhdojnë punimet. Puna ka vazhduar, diku më avash, diku më normalisht. Bashkia ka një seri kontratash që janë të ndryshme nga qeveria. Kjo nuk është një çështje që mund të analizohet me një vlerësim të përgjithshëm. Kërkon që secila kontratë, në varësi të specifikës, nevojës për materiale që ka, janë të ndryshme nga kontrata në kontratë. Teorikisht ka një fletorë që ka çmime reference për çdo mall. Ka një projekt që tregon sa volume duhen për të bërë një punë. Çmimet e objekteve dalin si rrjedhojë e raporteve mes këtyre dy gjërave. Është ushtrim matematik që ka mekanizma kontrolli. Ky diskutimi që qarkullon në media që rrugët dhe objektet janë të shtrenjta, është një diskutim jo vetëm i fryrë, por i bërë në mënyrë jo profesionale. Në qoftë se totali i rrugës është totali i betonit, hekurit, asfaltit dhe çakullit, në ato momente do kishte vlerë për të bërë diskutim për rrugë të florinjta, të bronzta. Nuk kam dëgjuar një njeri që të thotë mora preventivin, që janë dokumente publike. Çdo njeri për çdo punë publike ka dokument publik. Mund t’i shkarkojnë. Nëse dikush del edhe thotë që betonin nga çmimi 2000 lekë këta e kanë vënë 3000, atëherë mund ta bëjmë këtë diskutim”.
Mazniku tha se ritmi i rritjes në sektorin e ndërtimit është në përputhje me rritjen e ekonomisë shqiptare.
Neve po të shikojmë, në 20 vitet e fundit, si është rritur ekonomia shqiptare dhe sektori i ndërtimit, do shohim që mes dy indikatorëve ka përputhje. Sektori i ndërtimit është rritur me të njëjtin ritëm me të cilën është rritur ekonomia. Ky ritëm është proporcional. Nëse do ishim në një situatë ku sektori i ndërtimit është rritur 3 herë më shumë se ekonomia, atëherë do pyesnim pse ka ndodhur kjo. Sektori i ndërtimit është rritur në 15 vitet e fundit në mënyrë proporcionale të njëjtë, me ritmin e ekonomisë shqiptare”.
Kujtojmë që në Tiranë subjekti që ndërton mbi 2000 metra katror duhet të dhurojë për banesa sociale 3 për qind të sipërfaqes së objektit. Lidhur me këtë çështje Mazniku tha:
Mund t’ju them me siguri që çdo leje ndërtimi e dhënë nga bashkia nga momenti që ka dalë ligji, ka paguar në mënyrë të rregullt. Të gjitha fondet e mbledhura nga ky financimi, janë në një fond të posaçëm që shkon në mënyrë ekskluzive për banesa sociale. Kemi një fond. Vlera duhet të jetë mbi 10 milionë euro. Ato janë të destinuara të përdoren vetëm për banesa sociale. Bashkia e Tiranës ka një plan për ndërtime të banesave sociale në zonën e Shkozës, në Uzinën Traktor, dhe në zonën e zgjatimit të lumit Lana në drejtimin e Veriut. Besoj që do fillojnë të shpenzohen në muajit në vijim”.
I pyetur nëse ka hapësira për banesa sociale në qendër të Tiranës, Mazniku tha:
Ka. Ne kemi marrë pak apartamente. Por kemi kontrata për 30-40 për qind të volumit të ndërtimeve. Një pjesë ka vendosur t’i japë këto pagesa në Cash. Kjo është me goxha benefit për publikun, pasi nëse objekt është me një çmim më të lartë. Me këtë mekanizëm kemi mundësi të shtojmë sasinë dhe volumin e banesave sociale. 40 për qind e ndërtuesve japin sipërfaqe, ndërsa 60 për qind preferojnë të japin pagesë. Ai nuk ka detyrim të japë para, ka një zgjedhje, të premtojë me kontratë që të japë metrat. Ne s’i vendosim detyrim për asnjërën prej zgjedhjeve”.



