
Kreu i Shoqatës së Fermerëve, Eduart Sharka deklaroi përmes një lidhje "Skype" me studion e emisionit “MCN Economy” se qeveria është larg qasjes së duhur me bujqësinë.
Duke vijuar me logjikën e tij, Sharka tha se shifra 118 milionë euro e akorduar për këtë sector është e pamjaftueshme.
Problemi kryesor është fondi i akorduar për sektorin, 118 milionë euro është shumë pak për bujqësinë, gjithë shifra është 1.5 % e buxhetit, jemi larg me Evropën. Qeveria është larg qasjes së duhur me bujqësinë, qasja fillon me ndryshimin e buxhetimit. Kërkojmë standardin e rajonit.
Nuk e di sa do të jenë subvencionet, por pjesa më e madhe shkon për infrastrukturën e ministrisë së Bujqësisë. Sektori nuk merr financimin e duhur. Pa financimin nga buxheti i shtetit sektori i bujqësisë nuk ecën.
Më tej, Sharka tha se qeveria po flet për dixhitalizim edhe pse nuk ka ende një regjistër të saktë të pronave. Sipas kreut të Shoqatës së Fermerëve bujqësia në vendin tonë nuk është kompetitive dhe nuk ka një strategji.
Nuk ka vizion, ka një qasje statike, kanë ndryshuar kushtet, dhe nuk ka asnjë lëvizje,. Si mund të flasësh për buxhet kur nuk planifikohen fonde për fermerët. Skemat nuk duhet të jenë diskriminuese. Pasi t’i thuash fermerëve që ke aplikuar 5 minuta më vonë se bashkëfshatari prandaj nuk përfiton është diskriminuese. Flasim për dixhitalizim pa pasur një regjistrim të saktë të pronarëve. Para se të propozosh zgjidhjen e një problemi duhet të gjesh shkaqet. Bujqësia jonë nuk është kompetitive. Nuk ka strategji.
Tek ne nuk kemi kompensim për dëmet fatkeqësitë natyrore. Inputet janë nga importi dhe janë trefishuar çmimet. Ka shumë tregues që e bëjnë bujqësinë një biznes me risk të lartë.



