
Tubimet e përditshme të organizuara nga qytetarë dhe aktivistë vijojnë prej 37 ditësh, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime në sistemin zgjedhor.
Në një analizë për “MCN Live”, gazetari Mariglen Kume u shpreh se gjatë protestës është vënë re rritje e tentativave të eksponentëve politikë për t’u përfshirë në lëvizje, gjë që sipas tij po ndikon në devijimin e karakterit të saj fillestar.
Ai theksoi gjithashtu se në protestë po vihet re mungesë e artikulimit të kërkesave konkrete që lidhen drejtpërdrejt me shqetësimet e qytetarëve.
E para, në këtë protestë, duke qene se nervi qytetar deri diku ka rënë, është shtuar tentativa e eksponentëve partiakë që duan të përfshihen në protestë dhe në një farë mënyre po ndodh devijimi i saj.
Që protesta të mbetet qytetare duhet të trajtojë problemet reale që prekin qytetarët.
Protestat duhet të fokusohen në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, siç janë çmimet, taksat dhe menaxhimi ekonomik.
Prej gati një muaji flitet për heqjen e bordit dhe për çmimet, por nuk po shohim artikulim të qartë për këto shqetësime.
Nuk duhet të flasim vetëm në mënyrë makro, por për problemet konkrete që prekin njerëzit.
Kume theksoi gjithashtu se rrymat politike duhet të qëndrojnë larg protestave qytetare.
Rrymat politike i devijojnë protestat sipas interesave të tyre. Ato rrezikojnë të deformojnë mesazhin e tyre.
Mungojnë kërkesat konkrete të qytetarëve.



