
Problematika e aksidenteve rrugore me pasoja fatale nuk është thjesht një çështje statistikash, por pasqyron mangësitë serioze në menaxhimin e trafikut dhe sigurisë rrugore në vend.
Gazetari Besmir Pula deklaroi për “MCN Live” se vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar 22 viktima nga aksidentet rrugore në të gjitha akset kryesore të Shqipërisë.
Edhe pse numri i përgjithshëm i aksidenteve ka pësuar një ulje, fatkeqësisht është rritur numri i aksidenteve me pasoja fatale.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 22 viktimat në gusht përfaqësojnë një bilanc alarmant për vitin 2025, duke e bërë të papranueshme etiketimin e kësaj si një arritje, përkundrazi, tregon një emergjencë në rritje.
Në periudhën janar-korrik 2025 janë regjistruar 767 aksidente, por përqindja e atyre me pasoja fatale është rritur ndjeshëm në muajt e fundit.
Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, thekson se situata kërkon rishikim urgjent të Kodit Rrugor.
Sipas tij, shumë aksidente ndodhin edhe si pasojë e papërgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve, të cilët përfitojnë nga toleranca ligjore që u jep si Kodi Rrugor, ashtu edhe ai Penal.
Janë shtuar ndjeshëm aksidentet me pasoja të rënda dhe fatale, kryesisht për shkak të humbjes së kontrollit të mjeteve apo përplasjes me objekte të ndryshme.
Shumë aksidente ndodhin edhe si pasojë e papërgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve, të cilët përfitojnë nga toleranca ligjore që u jep si Kodi Rrugor, ashtu edhe ai Penal.
Shoqëria jonë reagon vetëm pas kronikave tragjike. Nuk ka më kohë për diskutime të pafundme juridike apo sociale. Duhet veprim konkret. Kodi aktual është i pamjaftueshëm dhe kufizon edhe veprimtarinë e Policisë Rrugore për të marrë masa administrative ndaj shkelësve të rregullave.
Ndryshimet që u bënë në Kodin Rrugor në vitin 2023 kanë pasur efekte negative, si në opinionin publik, ashtu edhe te përdoruesit e mjeteve, dhe për këtë arsye është e domosdoshme përgatitja e një drafti të ri, që të adresojë realisht sfidat e rritjes së sigurisë rrugore.



